Сетевая библиотекаСетевая библиотека
Rikthim Në Tokë Danilo Clementoni Danilo Clementoni Rikthim në Tokë Aventurat e Azakisit dhe Petrit Titulli origjinal: Il ritorno Përkthyer nga: Gentian Cane Publikuar nga: Tektime Ky libër është një vepër e fantazisë. Emrat, personazhet, vendet dhe organizatat e cituara janë fryt i imagjinatës së autorit dhe kanë për qëllim t’i japin vërtetësi rrëfimit. Çfarëdo analogjie me faktet apo me njerëz realë, të gjallë apo jo të gjallë është krejtësisht rastësore. RIKTHIM NȄ TOKȄ E drejta e autorit © 2013 Danilo Clementoni Botimet: nëntor 2013 Redaktuar dhe shtypur në mënyrë të pavarur facebook: www.facebook.com/libroilritorno blog: dclementoni.blogspot.it e-mail: d.clementoni@gmail.com (mailto:d.clementoni@gmail.com) Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Asnjë pjesë e këtij publikimi nuk mund të riprodhohet në ndonjë mënyrë, përfshi çfarëdo lloj sistemi mekanik dhe elektronik, pa autorizim paraprak me shkrim nga Botuesi, përveç përjashtimeve të bëra për pasazhe të shkurtra me qëllim rishikimi. Bashkëshortes sime dhe djalit tim për durimin që kanë pasur në përballjet e mia dhe për të gjitha sugjerimet e çmuara që më kanë dhënë, duke kontribuar për të arritur më të mirën si për mua ashtu edhe për këtë roman. Një falenderim i veçantë për të gjithë miqtë e mi që vazhdimisht më kanë mbështetur dhe inkurajuar për të vazhduar përpara në përfundimin e kësaj vepre që ndoshta, pa ta, nuk do të kishte dalë kurrë në dritë. Do të doja të falenderoja përkthyesin tim, z.Gentian Cane, për bashkëpunimin, pasionin dhe profesionalizmin që ka demonstruar në finalizimin e këtij përkthimi. Tabela e përmbajtjes Parathënie 1 (#ulink_43512f04-de41-54d7-be8a-bedfa667b5c3) Anija kozmike Theos – 1.000.000 Km nga Jupiteri 3 (#ulink_a5a715ff-1676-54b5-afe6-c724f6f4e26b) Planeti Tokë – Tell el-Mukayyar – Irak 7 (#ulink_e0b3347a-2d7d-5519-ac2e-44ff97c571e2) Anija kozmike Theos – Orbita e Jupiterit 13 (#ulink_069848c4-6ea8-5c30-9dee-5ad40dc4e8af) Nasiria – Hoteli 17 (#ulink_6e8ffb6d-79da-5b53-a386-170bd1648f32) Anija kozmike Theos – Alarm në afërsi 21 (#ulink_0950a5c7-c782-5eb7-8031-9fb55324405a) Nasiria – Restoranti Masgouf 25 (#ulink_aaee00bb-e097-51ff-9550-d62f1851ce82) Anija kozmike Theos – Objekti misterioz 31 (#ulink_75153694-dd8b-58b5-bf68-f289657fb3b3) Nasiria – Darka 37 (#ulink_8eb17925-b30b-5d38-ad64-95573ddcb106) Anija kozmike Theos – Analiza e të dhënave 45 (#ulink_22daaac4-cf0d-5560-8bea-04794162f37d) Nasiria – Pas darke 49 (#ulink_ae6f3869-b361-55d8-be07-82722c66acf1) Anija kozmike Theos – Të Moshuarit 61 (#litres_trial_promo) Nasiria – Rizgjimi 67 (#litres_trial_promo) Anija kozmike Theos – Imazhet nga Toka 75 (#litres_trial_promo) Tell el-Mukayyar – Gërmimet 87 (#litres_trial_promo) Anija kozmike Theos – Zbulimi i tmerrshëm 97 (#litres_trial_promo) Tell el-Mukayyar – Sarkofagu 103 (#litres_trial_promo) Anija kozmike Theos – Zona e asteroideve 117 (#litres_trial_promo) Tell el-Mukayyar – Inkursioni gjatë natës 123 (#litres_trial_promo) Anija kozmike Theos – Pamja mbi Mars 131 (#litres_trial_promo) Tell el-Mukayyar – Surpriza e natës 139 (#litres_trial_promo) Anija kozmike Theos – Orbita tokësore 145 (#litres_trial_promo) Tell el-Mukayyar – Demaskimi 153 (#litres_trial_promo) Anija kozmike Theos – Përgatitjet finale 167 (#litres_trial_promo) Tell el-Mukayyar – Katër rojtarët flakërues 173 (#litres_trial_promo) Tell el-Mukayyar – Kontakti 187 (#litres_trial_promo) Tell el-Mukayyar – Rimarrja 199 (#litres_trial_promo) Anija kozmike Theos – Mysafirë në bord 215 (#litres_trial_promo) Anija kozmike Theos – Rrëfimi 223 (#litres_trial_promo) Referencat bibliografike 231 (#litres_trial_promo) "Po ktheheshim. Kishte kaluar veç një vit i ynë diellor që prej kohës kur kishim qenë të detyruar të braktisnim me nxitim dhe zemërim planetin por për ta, në vite tokësorë, kishin kaluar 3.600. Çfarë kishim gjetur?” Parathënie Planeti i dymbëdhjetë, Nibiru (planeti i pasazhit) siç u quajt kështu nga Sumerët ose Marduku (mbreti i qiejve) siç u ripagëzua nga Babilonasit, është në realitet një trup qiellor që rrotullohet rreth diellit tonë me një periudhë prej 3.600 vitesh. Orbita e tij është mjaft eliptike, retrograda (rrotullohet rreth diellit në kah të kundërt nga të gjithë planetët e tjerë) dhe është shumë e pjerrët në planin e sistemit tonë diellor. Secili nga afrimet e tij ciklike ka shkaktuar pothuaj gjithmonë tronditje shumë të mëdha ndërplanetare në sistemin tonë diellor si tek orbitat, ashtu edhe tek struktura e planetëve të cilët ishin pjesë e tij. Veçanërisht, shumë kohë përpara tamam në një prej disa kalimeve të tij më të potershme planeti madhështor Tiamat, i ndodhur mes Marsit dhe Jupiterit, me një masë rreth nëntë herë nga ajo e Tokës aktuale, i pasur në ujë dhe i përbërë nga njëmbëdhjetë satelitë, u shkatërrua nga një përplasje legjendare. Një nga shtatë hënat orbitante të Nibirut goditi Tiamatin gjigand duke e thyer në dysh dhe duke i detyruar të dy trupat të zhvendosen mbi orbita të ndryshme. Në pasazhin e ardhshëm (“dita e dytë” e Xhenesit), satelitët e mbetur të Nibirut pushuan aktivitetin e tyre, duke shkatërruar plotësisht një nga dy pjesët e formuara në goditjen e parë. Mbetjet e gjeneruara nga impaktet e shumëfishta krijuan pjesërisht atë që sot e njohim si “tërheqja e asteroideve” apo “Krahthi i Dërrmuar” siç ishte quajtur kështu nga Sumerët dhe u përpinë njëfarësoj nga planetet e afërt. Në mënyrë të veçantë, Jupiteri kohë përpara arriti të kapte shumicën e mbetjeve, duke rritur kësisoj masën e vet në mënyrë të konsiderueshme. Satelitët shkaktarë të katastrofës, përshirë ata të mbijetuar nga ish-Tiamati, në pjesën më të madhe “u degdisën larg” mbi orbitat e jashtme, duke formuar ato që sot i quajmë si “kometa”. Ndërsa pjesa që shpëtoi në pasazhin e dytë u vendos në një orbitë stabël midis Marsit dhe Venusit, duke e zhvendosur mbrapa satelitin e fundit të mbetur dhe duke shkuar kësisoj drejt formimit të asaj që ne sot e njohim si Toka, së bashku me shoqen e saj të pandashme Hënën. Shenja e shkaktuar nga ai impakt kozmik, i verifikuar rreth 4 miliardë vite më përpara, është akoma edhe sot pjesërisht i dukshëm. Pjesa e çjerrë e planetit aktualisht është krejtësisht e mbuluar nga ujërat e atij që sot quhet Oqeani Paqësor. Ai zë rreth një të tretën e sipërfaqes së tokës më një shtrirje prej më shumë se 179 milionë kilometër katrorë. Në tërë këtë sipërfaqe të pafundme praktikisht nuk ka prezencë të tokave mbi nivelin e detit, por vetëm një gropë të madhe që shtrihet deri në thellësi që i kalon dhjetë kilometrat. Aktualisht Nibiru, si konfiguracion, është shumë i ngjashëm me Tokën. Në dy të tretat e tij është i mbuluar nga ujërat, ndërkohë që pjesa tjetër përbëhet nga një kontinent i vetëm që shtrihet nga veriu në jug, me një sipërfaqe të përgjithshme mbi 100 milionë kilometra katrorë. Disa nga banorët e tij, prej qindra deri mijëra vitesh, duke përfituar nga afrimi ciklik i planetit të tyre me tonin, kanë bërë vizita në mënyrë sistematike, duke ndikuar çdo herë në kulturën, njohjet, teknologjinë dhe madje në vetë evolucionin e racës njerëzore. Paraardhësit tanë i kanë quajtur në shumë mënyra, por ndoshta emri që i personifikon ata më tepër është “Zotat”. Anija kozmike Theos – 1.000.000 Km nga Jupiteri Azakisi ishte shtrirë rehatshëm sa gjatë e gjerë në kolltukun e tij të errët dhe të vetëmykur, të cilin një mik i vjetër Artizan që e kishte bërë me duart e veta, kishte dashur t’ia dhuronte atij vite më përpara me rastin e misionit të tij të parë ndërplanetar. “Ty do të të sjellë fat,” i kishte thënë atij atë ditë. “Do të të ndihmojë që të çlodhesh dhe të marrësh vendimet e duhura kur të kesh nevojë. Dhe në fakt, i ulur aty, ai kishte marrë disa vendime që atëherë dhe fati kishte qenë shpesh në anën e tij. Dhe kështu kishte vepruar gjithmonë në mënyrë që të risillte atë kujtim të shtrenjtë, pavarësisht shumë prej rregullave që do ta kishin penguar për ta përdorur, veçanërisht në një anije kozmike të tipit Bousen-1 si ajo në të cilën ai tanimë gjendej brenda. Një shtëllungë e hollë tymi në nuancë blu u ngrit shpejt dhe pingulthi nga cigarja që ai mbante midis dy gishtave të parë në dorën e tij të djathtë, ndërkohë që me vështrimin ngultas, përpiqej që të ndiqte 4,2 UA që akoma e ndante atë nga vendmbërritja. Megjithëse tashmë kishte disa vite që ndërmerrte të tilla udhëtime, hijeshia e errësirës që e rrethonte dhe me mijëra yjet që e pikëlonin atë, ishin ende në gjendje që të rroknin mendimet e tij. Hyrja e madhe në formë vezake tamam përpara tij i lejonte një pamje të plotë në drejtim të udhëtimit, dhe ai gjithmonë rrinte i habitur sesi ajo forcë tepër e lehtë e fushës vektoriale ishte në gjendje që ta mbronte atë nga i ftohti yjësor i hapësirës, të pengonte ajrin të dilte jashtë krejt papritur, i gëlltitur nga zbrazëtira absolute e jashtme. Vdekja do të ishte pothuajse e menjëhershme. I futi një të thithur të shpejtë cigares së gjatë dhe vazhdoi që të sodiste pamjen holografike drejt përpara, në të cilën shfaqej fytyra e lodhur dhe e parruar e shokut të tij të udhëtimit, që në pjesën tjetër të anijes, po riparonte sistemin e kontrollit të tubave të shkarkimit. Ai po argëtohej paksa tek shtrembëronte imazhin duke fryrë në mes tymin që sapo kishte thithur, duke krijuar kështu një efekt valëzues që aq shumë i kujtonte atij lëvizjet e lakuara të kërcimtareve sensuale, të cilat ai kishte vajtur shpesh për t’i parë kur kthehej më në fund në shtëpinë e vet dhe kur mundej që t’i gëzohej paksa një çlodhjeje të merituar. Petri, miku dhe shoku i tij i aventurës, tashmë ishte rreth tridhjetë e dy vjeç dhe ky ishte misioni i tij i katërt i këtij lloji. Busti i tij i fortë dhe imponues gjithmonë ngjallte shumë respekt tek të gjithë ata që takonte. Sy të zinj si hapësira kozmike, flokë të errët, të gjatë e të çrregullt që i arrinin deri tek shpatullat, i gjatë pothuajse dy metra e tridhjetë, kraharori dhe krahu i tij mund të ngrinin pa mundim një Nebir të madh, por prapëseprapë ai kishte akoma shpirtin e një fëmije. Ishte në gjendje të emocionohej duke parë tek çelte një lule e Soel , mund të rrinte i ngazëllyer për orë të tëra duke vështruar valët e detit ndërkohë që përplaseshin në brigjet e fildishta të Gjirit të Saraanit . Një person i jashtëzakonshëm, i besuar, besnik, i gatshëm për të dhënë jetën e vet për të pa asnjë ngurrim. Nuk do të ishte nisur kurrë nëse nuk do të kishte patur Petrin në krah. Ishte i vetmi në botë të cilit i besonte verbërisht dhe që kurrë nuk do ta kishte tradhtuar. Motorët e anijes, tashmë gati për të eksploruar në brendësi të sistemit diellor, i përcillnin atij zhurmën kërkëllitëse të qetë, dhe klasike dyfazore. Në veshët e tij të stërvitur, ai tingull konfirmonte që çdo gjë po shkonte perfekt. Me ndjeshmërinë e tij të të dëgjuarit do të kishte qenë në gjendje që të kapte një oshilacion tek tubat e brendshëm edhe në vetëm 0,0001 Lasig, shumë më përpara se ta konstatonte vetë sistemi tepër i sofistikuar i kontrollit të automatizuar. Prandaj dhe për këtë i ishte dhënë e drejta, që shumë i ri, të komandonte një anije të tipit Pegasus. Shumë prej shokëve të tij të kursit do të kishin dhënë krahun e tyre të djathtë për të qenë aty në vend të tij. Por tanimë aty ishte ai. Impianti intraokular O^COM bënte kthjellimin përpara tij të itinerarit të ri të përllogaritur. Ishte e jashtëzakonshme sesi një objekt në shumë pak mikronë mund të kryente tërë ato funksione. I futur direkt në nervin optik, ishte në gjendje të shfaqte një panel të tërë kontrolli, duke mbivendosur imazhin e asaj që e kishte realisht përpara. Në fillim, nuk kishte qenë vërtet e lehtë të mësohej më atë pajisje të çuditshme, dhe më shumë se një herë të përzierit i kishte rrezikuar që të merrte veten. Kurse tani, nuk mundte që të bënte dot pa të. I tërë sistemi diellor rrotullohej përreth tij në të gjithë madhështinë e vet tërheqëse. Pika e vogël blu, në afërsi të Jupiterit gjigand, përfaqësonte vendndodhjen e anijes së tij dhe vija e hollë e kuqe, pak më e lakuar se më përpara dhe e zbehur tashmë, tregonte trajektoren e re të afrimit me Tokën. Forca e rëndesës e planetit më të madh të sistemit ishte impresionuese. Detyrimisht do të duhej të qëndronin nga një largësi e sigurtë dhe vetëm fuqia e dy motorëve Bousen, do të kishte lejuar që Theosi t’i shpëtonte atij përqafimi vdekjeprurës. «Azakis» klithi komunikuesi portabël mbështetur tek paneli i kontrollit përpara. «Duhet të verifikonim gjendjen e xhuntove në kabinën gjashtë.» «Akoma nuk e ke bërë?» iu përgjigj me pamje prej shakaxhiu, për të cilën ishte i sigurt që do ta kishte zemëruar mikun e tij. «Hidhe atë cigare të qelbur dhe hajde më jep një dorë!”» gërthiti Petri. E dinte. Ia kishte dalë që ta nervozonte dhe i gëzohej si të marrët. «Ja ku jam, ja ku jam. Po vij miku im, mos u nxeh.» «Lëviz, ka katër orë që po qëndroj në mes të këtij mundimi dhe vërtet që nuk jam në humor për të bërë shaka.» Grindavec si gjithmonë, por asgjë dhe askush nuk do të mundte që ta ndante prej tij. Njiheshin që nga fëmijëria. Ishte vetë ai që e shpëtonte më shumë se një herë nga një rrahje e sigurt (që fëmijë ishte shumë më i madh në trup nga të tjerët), duke ndërmjetësuar me imponimin e vet të respektueshëm midis mikut të tij dhe bandës së vetme të garipave, nga e cila ishte pothuaj gjithmonë në shënjestër. Që në djalëri Azakisi nuk ishte sigurisht tipi që personat tërheqës të seksit të kundërt do ta kishin afruar për ta njohur. Vishej gjithmonë mjaft shkujdesur, me flokë të rruar, fizik të hollë, i lidhur pashtershmërisht pas Rete nga e cila thithte me miliona informacione në një shpejtësi dhjetë herë më të lartë se mesatarja. Tashmë brenda dhjetë viteve, në sajë të rezultateve të jashtëzakonshme në studime, kishte arritur një akses të nivelit C, duke pasur kështu mundësinë që t’u afrohej njohurive të paprekura nga pothuajse të gjithë bashkëmoshatarët e vet. Impianti nervor N^COM, që i garantonte këtë lloj aksesi, sidoqoftë kishte ndonjë minus të vogël. Gjatë fazave të përvetësimit, përqendrimi duhet të ishte gati absolut dhe, duke qenë se pjesa më e madhe e kohës i kalonte kësisoj, praktikisht kishte gjithmonë një pamje të hutuar, me vështrimin e ngulët të humbur në zbrazëtirë, krejtësisht të huaj ndaj gjithçkaje që i ndodhte përreth. Me thënë të vërtetën, ekzistonte një mendim i përgjithshëm që, në kundërshtim me atë çka deklaronin të Moshuarit, ai ishte paksa i vonuar. Për atë kjo nuk kishte rëndësi. Etja e tij për dije nuk kishte kufij. Edhe netëve rrinte i azhornuar dhe, ndonëse në gjumë kapaciteti i përvetësimit, i nevojshëm për një përqendrim absolut, do të reduktohej në një 1% të papërfillshëm, nuk do të donte të harxhonte kot as edhe një çast të vetëm nga jeta, pa patur mundësinë që të zgjeronte horizontin e vet kulturor. U ngrit duke përvijuar një buzëqeshje të butë dhe u drejtua për nga kabina gjashtë, ku po e priste miku i tij. Planeti Tokë – Tell el-Mukayyar – Irak Elisa Hanter po përpiqej për të kushedisatën herë që të thante pikëzat e mallkuara të djersës që, nga balli, vazhdonin t’i binin lehtë lehtë mbi hundë, për të rënë pastaj fluturim poshtë saj në rërën e zjarrtë. Kishte tashmë disa orë që po rrinte në gjunjë, me të pandarën e saj Trowel Marshalltown , duke gërvishtur tokën me delikatesë, në tratativë për të sjellë në dritë, pa e dëmtuar, atë që me të vërtetë dukej se kishte qenë kapaku i një guri varri. Sidoqoftë, ajo tezë nuk e kishte bindur aspak që në fillim. Në afërsitë e Ziqquratit të Urit , ku që prej dy muajsh, falë famës së saj si arkeologe dhe eksperte në njohjen e gjuhës sumerike, i ishte lejuar që të punonte, varre ishin gjetur shumë, qysh prej gërmimeve të para arkeologjike të bëra në fillimet e shekullit të XX, por që asnjëherë, në asnjërën prej tyre, nuk ishte zbuluar një punim dore i këtij lloji. Duke pasur parasysh formën e veçantë katrore dhe dimensionet e konsiderueshme, më shumë se një sarkofag, i ngjante “një kapaku” të ndonjë lloj ene varrosur aty mijëra vjet përpara, për të ruajtur a fshehur kushedi se çfarë. Për fat të keq, duke qenë se, për momentin, kishte nxjerrë në sipërfaqe vetëm një copëz nga pjesa e sipërme, akoma nuk kishte qenë në gjendje ta përcaktonte, gjë që do mundte kur ena në fjalë, të mund të ishte lart. Gdhendjet në formë pyke që vishnin të gjithë sipërfaqen e dukshme të kapakut, nuk ngjanin me ndonjë gjë që ta kishte parë ndonjëherë më përpara. Për t’i deshifruar do të duheshin ditë të tëra dhe po aq netë pa gjumë. «Profesoreshë.» Elisa ngriti kokën dhe, duke zgjatur ndërkohë dorën e saj të djathtë mbi sy për t’u mbrojtur nga dielli, pa ndihmësin e saj Hishamin, tek vinte drejt saj me hapa të shpejtë. «Profesoreshë» përsëriti burri «ka një telefonatë për ju nga qendra. Duket urgjente. » «Erdha. Faleminderit Hisham.» Përfitoi nga pushimi i detyruar për t’i lejuar vetes një gllënjkë ujë, pothuaj i zierë tashmë, nga pagurja që e merrte gjithmonë me vete të lidhur te rripi. Një telefonatë nga qendra... Kjo mund të nënkuptonte që rrugës ka vetëm telashe... U ngrit, u dha një të goditur me pëllëmbë pantallonave duke ngritur retë e shumta të pluhurit dhe u nis me vendosmëri drejt tendës që shërbente si qendër mbështetëse për kërkimet. Hapi zinxhirin që mbante gjysëm të mbyllur tendën e kampit dhe hyri. Priti pak derisa sytë t’i mësoheshin me ndryshimin e dritës, po prapë kjo gjë nuk e pengoi që të njihte, në ekran, fytyrën e kolonel Xhek Hadson i cili, me një pamje jodashamirëse, vështronte kot ngultas në pritje të një përgjigjeje prej saj. Koloneli ishte zyrtarisht përgjegjësi i skuadrës strategjike të antiterrorit të qendrës në Nasiria por detyra e tij efektive, ishte ajo e kordinimit të një serie kërkimesh shkencore të urdhëruara dhe të kontrolluara nga një departament misterioz ELSAD . Një departament i tillë ishte i rrethuar nga misteri i vetëm që mbështjell të gjitha strukturat e këtij lloji. Pothuaj askush nuk i dinte me saktësi qëllimet dhe objektivat e gjithë organizmit. Dihej vetëm se komanda operative përgjigjej drejtpërdrejt tek Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Fundja Elisës nuk i interesonte shumë nga e gjithë kjo. Arsyeja e vërtetë për të cilën kishte vendosur të pranonte ofertën për pjesëmarrje në një nga misionet, ishte që më në fund do të kishte mundësi që të kthehej tek vendet që i dashuronte më shumë në botë, duke bërë punën që i pëlqente sa s’thuhet dhe në të cilën, pavarësisht moshës së saj relativisht të re (30 vjeç), ishte një nga më të aftat dhe më të vlerësuarat e fushës. «Mirëmbrëma kolonel» i tha duke nxjerrë në pah buzëqeshjen e saj më të këndshme. «Për çfarë kam nderin?» «Profesoresha Hanter, mjaft me këto ojna. E dini shumë mirë arsyen për të cilën po ju thërras. Leja që ju është dhënë për të përfunduar punimet tuaja ka skaduar që prej dy ditësh dhe kështu që ju nuk mund të qëndroni më aty.» Zëri i tij ishte i prerë dhe i vendosur. Këtë herë, as pamja e tij e padiskutueshme nuk do të ishte mjaftueshëm për t’i shkëputur ndonjë zgjatje të fundit të afatit. Vendosi kështu që të luante kartën e saj të fundit. Që prej kohës kur koalicioni i udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara kishte marrë vendimin në 23 mars 2003 për të pushtuar Irakun, me qëllimin e qartë për të rrëzuar nga pushteti diktatorin Saddam Hussein, i akuzuar për zotërimin e armëve të asgjësimit në masë (akuza rezultoi më pas si e pabazë) dhe për mbështetjen e terrorizmit islamik, në Irak, të gjitha kërkimet arkaeologjike, tashmë tepër të vështira në kohë paqe, përjetuan një ndërprerje të menjëhershme. Vetëm fundi zyrtar i këtyre konflikteve, që ndodhi në 15 prill 2003, kishte rindezur shpresën e të gjithë arkeologëve nga e gjithë bota, për të pasur mundësi që t’u riafrohen një prej vendeve nga ku, me sa duket, ishin zhvilluar qytetërimet më të lashta në histori dhe më pas kishin përhapur kulturën e tyre në tërë globin tokësor. Vendimi më pas i autoriteteve irakene, në fundin e vitit 2011, për të nisur përsëri gërmimet arkeologjike në disa vende me vlera të paçmuara historike me qëllim “për të vazhduar ruajtjen e trashëgimnisë së vet kulturore”, e kishte kthyer më në fund shpresën në siguri. Nën mburojën e OKB-së dhe shumë autorizimeve paraprake të firmosura dhe rifirmosura nga një numër i parrëfyeshëm “autoritetesh”, disa grupe kërkuesish të përzgjedhur dhe të mbikqyrur nga komisione specifikisht të angazhuara, do të kishin mundësi të vepronin, në kohë të kufizuara, në zonat kryesore arkeologjike të interesit brenda territorit iraken. «I dashur kolonel» i tha, duke u afruar sa më shumë që mundej drejt webkameras, në mënyrë që sytë e saj të mëdhenj dhe jeshilë si smerald të mund të kishin efektin që shpresonte. «Ju keni plotësisht të drejtë.» E dinte mirë që po t’i jepte fillimisht të drejtë interlokutorit, ai do të bëhej shumë më i predispozuar. «Por tanimë jemi kaq afër.» «Afër me çfarë?» gërthiti koloneli duke u ngritur nga karrigia dhe duke mbështetur grushtat mbi tryezën e punës. «Ka javë që më përsërit të njëjtin refren. Nuk jam më i predispozuar që të të besoj pa parë me sytë e mi diçka konkrete.» «Nëse do të kem nderin që të më bëni shoqëri sonte mbrëma në darkë, do të jem e lumtur të tregoj diçka që do t’ju bëjë të besoni sërish. Si thoni? » Dhëmbët e saj tepër të bardhë që vunë në dukje një buzëqeshje të mrekullueshme dhe kalimi i dorës mes flokëve të verdha të gjata, e bënë të vetën. Ishte e sigurt që e kishte bindur. Koloneli rrudhi vetullat duke u përpjekur të mbante një vështrim të zemëruar, por edhe ai vetë e dinte më së miri që nuk do t’i kishte rezistuar atij propozimi. Elisa gjithmonë i kishte pëlqyer disi dhe një darkë e vogël e intrigonte shumë. Fundja ai, pavarësisht dyzet e tetë viteve të tij, ishte akoma një burrë i pashëm. Fizik prej atleti, linja të theksuara, flokë të shkurtër të thinjur, vështrim të fortë dhe të vendosur i shoqëruar nga sy shumë të kaltër, një kulturë të përgjithshme të shkëlqyer që i lejonte atij të mbështeste diskutime mbi argumente të panumërt, të gjitha të bashkuara nën hijeshinë e padiskutueshme të uniformës, e bënin një eksponent të gjinisë mashkullore akoma shumë “interesant”. «Ok» shfryu koloneli «por nëse sonte mbrëma nuk më sillni vërtet diçka konkrete, atëherë mund të filloni të mblidhni gjithë veglat tuaja dhe të përgatisni valixhet». U mundua të përdorte tonin më autoritar që dispononte, por kjo gjë nuk i doli shumë mirë. «Në orën 8 të darkës të bëheni gati. Do të vijë një makinë që t’ju marrë tek hoteli» dhe e mbylli bisedën duke u penduar disi që nuk e kishte përshëndetur fare. Dreq, duhet të shpejtoj. Më mbeten vetëm pak orë para së të bëhet errësirë. «Hisham» bërtiti duke dalë nga tenda. «Shpejt, grumbullo të gjithë ekipin. Do të më duhet gjithë ndihma e mundshme.» Përshkoi, me hapa të shpejtë, ato pak metra që e ndanin nga zona e gërmimeve, duke lënë pas vetes një sërë shtëllungash gjithë pluhur. Në pak minuta, të gjithë u grumbulluan rreth saj në pritje të urdhërave të saj. «Ti, të lutem, hiqe rërën nga ajo qoshe» urdhëroi ajo duke treguar thepin e gurit që ishte më larg prej saj. «Ndihmoje dhe ti. Te lutem, bëni shumë kujdes. Nëse është ashtu siç mendoj, ky objekt do të na shpëtojë prapanicën. » Anija kozmike Theos – Orbita e Jupiterit Moduli sferik i transferimit të brendshëm, i vogël si përmasë por tepër i rehatshëm, po përshkonte me një shpejtësi mesatare prej rreth 10 m/s, në tubin numër tre, që do ta dërgonte Azakisin te hyrja e kabinës, pikërisht aty ku po e priste shoku i vet Petri. Theosi, edhe ai në formë sferike me një diametër prej nëntëdhjetë e gjashtë metra, ishte i përbërë nga tetëmbëdhjetë tuba cilindrikë, secili me një gjatësi prej pak më shumë se treqind metra, që, si meridianët, ishin ndërtuar me një largësi dhjetë gradë njëri nga tjetri dhe duke mbuluar të gjithë perimetrin. Secili nga njëzet e tre nivelet, katër metra të gjatë, me përjashtim të hambarit qendror të anijes, (niveli i njëmbëdhjetë) që ishte dyfishi i gjatësisë, mund të arrihej lehtësisht në sajë të “ndalesave” që kishte çdo tub në secilin kat. Praktikisht, për të shkuar nga njëri skaj i anijes tek tjetri, mund të duheshin maksimumi pesëmbëdhjetë sekonda. Frenimi i modulit u konstatua sakaq. Dera u hap me një fishkëllimë të lehtë dhe prapa saj u duk Petri, që qëndronte me këmbë të hapura dhe me krahë të kryqëzuara. «Ka orë të tëra që po pres» i tha me një ton shumë pak bindës. «Nuk mbarove së bllokuari filtrat e ajrit me atë gjë të shpifur me erë të keqe që mban gjithmonë pas vetes?» Aludimi që i bënte për cigaren ishte paksa i hollë. Duke mos ia vënë veshin provokimit, me një buzëqeshje të lëhtë, Azakisi hoqi nga rripi analizuesin portabël dhe e aktivizoi me një gjest të gishtit të madh. «Ma mbaj këtë dhe të shohim që të nxitojmë» i tha duke i kaluar me një dorë aparatin, ndërsa me tjetrën kërkonte që të fiksonte nga e djathta sensorin në brendësi të xhuntos. «Mbërritja është parashikuar për afro 58 orë dhe jam me të vërtetë shumë i merakosur. » «Përse?» e pyeti Petri me naivitet. «Nuk e di. Sikur kam ndjesinë se po na pret një surprizë e pakëndshme.» Instrumenti që mbante në dorë Petri filloi të shënonte një seri tingujsh në frekuenca të ndryshme. E vëzhgoi pa patur idenë më të vogël se çfarë donte të thoshte. Ngriti vështrimin ngultas drejt pamjes së shokut në kërkim të ndonjë shenje por nuk vuri re gjë. Azakisi, duke lëvizur me shumë kujdes, e çoi sensorin tek xhuntoja tjetër. Një tjetër mori tingujsh të padeshifrueshëm doli nga analizuesi. Heshtje paskëtaj. Azakisi ia la instrumentin shokut të vet, vëzhgoi me vëmendje rezultatet, më pas buzëqeshi. «Gjithçka në rregull. Mund të vazhdojmë.» Vetëm atëherë Petri e ndjeu se, vetëm për pak, kishte ndaluar së marri frymë. Nxori jashtë të gjithë ajrin dhe përjetoi menjëherë një sens çlodhjeje. Një defekt, qoftë dhe më i vogli, te një prej atyre xhuntove do të kishte mundur që të kompromentonte misionin në mënyrë të pakthyeshme, duke i detyruar të ktheheshin mbrapa sa më shpejt që të mundeshin. Ishte gjëja e fundit që do të kishin dëshiruar të bënin. Kurse tani thuajse ia dolën. «Po shkoj të pastrohem» tha Petri duke u përpjekur që të shkundte ca pluhurin nga trupi «Kontrolli tek tubat e shkarkimit kështu është gjithmonë kaq...» dhe duke shtrembëruar buzën e sipërme shtoi « formuese! » Azakisi buzëqeshi. «Shihemi tek kabina e komandimit.» Petri thirri kapsulën dhe një sekondë më pas ishte zhdukur. Sistemi qendror njoftoi se orbita e Jupiterit ishte kaluar pa vështirësi dhe se po lëviznin pa problem në drejtim të Tokës. Me një lëvizje të lehtë por të shpejtë, të syve nga e djathta, Azakisi i kërkoi O^COM-it të tij që t’i tregonte sërish itinerarin. Pikëza blu që lëvizte mbi vijën e kuqe, tani ishte zhvendosur paksa drejt orbitës së Marsit. Count-down, që tregonte kohën e përllogaritur të mbërritjes, shënonte fiks 58 orë dhe shpejtësia e anijes ishte me 3.000 Km/sek. Ishte gjithmonë e më nervoz. Në fund të fundit, ajo ku po udhëtonin, ishte anija e parë kozmike e pajisur me motorët e rinj Bousen, të ideuar krejt ndryshe nga të mëparshmit. Projektuesit deklaronin se ata motorë do të ishin në gjendje që të shtynin anijen me një shpejtësi të afërt me një të dhjetën e shpejtësisë së dritës. Ende nuk ishte marrë guximi që të arrihej aq larg. Për momentin, 3.000 Km/sek, i dukej më se mjaftueshëm për një udhëtim të parë. Nga pesëdhjetë e gjashtë anëtarët e ekuipazhit që normalisht do të duhej që të ishin në bordin e Theos-it, për këtë mision të parë, ishin përzgjedhur vetëm tetë, përfshi Petrin dhe Azakisin. Arsyet e parashtruara nga Të Moshuarit nuk kishin qenë plotësisht bindëse. Ishin kufizuar duke trumbetuar që, duke parë natyrën e udhëtimit dhe vendmbërritjen, mund të evidentoheshin disa vështirësi dhe si rrjedhojë do të kishte qenë më mirë sikur mos të viheshin shumë jetë në rrezik në mënyrë të panevojshme. Atëherë jemi ne ata që do sakrifikohemi? Ça dreq argumentesh. Gjithmonë kështu kishte për të përfunduar. Kush dërgohej kur qe fjala për të rrezikuar lëkurën? Azakisi dhe Petri. Fundja, prirja e tyre drejt aventurës dhe aftësia e dukshme për zgjidhjen e situatave “të komplikuara”, u kishte dhënë mundësinë e përfitimit të shumë lehtësirave aspak të këqija. Azakisi jetonte në një ambient të bollshëm në qytetin e mrekullueshëm të Saaranit, i gjendur në jug të Kontinentit, e cila ishte përdorur deri pak kohë përpara, si depo nga Artizanët e qytetit. Ai, në sajë të “lehtësirave”, ia kishte dalë mbanë që ta fuste në pronësi dhe të kishte lejen për ta modifikuar sipas pëlqimit te vet. Faqja jugore ishte zëvendësuar krejtësisht me një fushë të forcës vektoriale e njëjtë me atë që ishte përdorur në anijen kozmike, duke pasur si qëllim që ai të mund të sodiste, direkt nga kolltuku i vetëmykur dhe i pandarë, gjirin e mrekullueshëm teposhtë. Por në rast nevoje, e gjithë faqja mund të shndërrohej në një sistem gjigand tredimensional, në të cilin mund të shfaqeshin njëkohësisht deri në dymbëdhjetë transmetime sinkron të Rete-s. Më shumë se një herë, ky sistem i sofistikuar i kontrollit dhe drejtimit, i kishte lejuar që të mblidhte shumë para kohe, informacione vendimtare, duke i dhënë mundësi kështu që të zgjidhte në mënyrë gjeniale madje dhe problemet shumë serioze. Nuk do të mundej më që të tërhiqej. Një shtesë e plotë që i ishte bërë ish-depos së vjetër, rezervonte brenda saj një koleksion me “suvenirë” të gjetura prej tij gjatë gjithë misioneve që kishte kryer në vite, duke udhëtuar nëpër hapësirë. Secili prej tyre i kujtonte diçka të veçantë dhe çdo herë që gjendej në mes të atij lëmshi absurd objektesh tejet të çuditshme, nuk mund të rrinte pa falenderuar fatin e tij të mirë e mbi të gjitha, shokun e tij besnik që, më shumë se një herë, i kishte shpëtuar jetën. Kurse Petri nuk ishte i dashuruar pas teknologjisë së shtytjes, megjithëse gjithmonë shquhej dukshëm në studime. Edhe pse qe në gjendje të pilotonte pa vështirësi të gjithë llojet e avionëve në qarkullim, njihte perfekt çdo model arme dhe gjithë sistemet e komunikimit lokal dhe ndërplanetar, ai preferonte shpeshherë t’i besonte instiktit dhe aftësive manuale në zgjidhjen e problemeve që i dilnin përpara. Më shumë se një herë, me sytë e tij, e kishte parë se si në shumë pak kohë, një grumbull i paformë hekurash transformohej në një mjet lëvizës apo në një armë mbrojtëse të frikshme. Ishte e jashtëzakonshme, do të kishte mundur që të ndërtonte çfarëdolloj gjëje që t’i nevojitej. Për këtë me siguri i detyrohej pjesërisht asaj që i kishte transmetuar i ati brez pas brezi, Artizani mjeshtër i shkëlqyer, por mbi të gjitha, pasionit të tij tejet të madh për Artet. Që në djalëri, vërtet që kishte qenë gjithmonë i mahnitur me atë sesi aftësitë manuale të Artizanëve arrinin të transformonin lëndën e zakonshme, në objekte të teknologjisë dhe dobisë së madhe, por duke lënë të paprekur “bukurinë” në brendësi të tyre. Një tingull i bezdisshëm, me ndërprerje dhe me volum të lartë, e bëri që të hidhej përpjetë, duke e rikthyer menjëherë në realitet. Papritmas ishte aktivizuar alarmi automatik në afërsi. Nasiria – Hoteli Hoteli natyrisht që nuk ishte “me pesë yje”, por për këdo që ishte mësuar t’i kalonte javët në një tendë në mes të shkretëtirës, edhe vetëm një dush mund të konsiderohej luks. Elisa priti valën e nxehtë dhe çlodhëse që t’i vinte nga lart, e t’i masazhonte qafën dhe shpatullat. Dukej që trupi ia dëshironte pa masë pasi një varg i tërë drithërimash nga kënaqësia i përshkuan shpinën shumë herë. E kuptojmë se sa rëndësi kanë disa gjëra, vetëm kur nuk i kemi më. Vetëm pas dhjetë minutash vendosi që të dilte nga dushi. Avulli kishte mbështjellë pasqyrën që dukej qartë se ishte vendosur shtrembër. U përpoq që ta drejtonte, por sa e lëshoi, u rikthye sakaq në pozicionin e saj fillestar. Vendosi të mos merrej më me të. Me një cep të peshqirit pastroi ujin që i kishte mbetur në buzë dhe admiroi veten. Kur ishte më e re në moshë, shumë herë e kishin kontaktuar për të punuar si modele apo edhe si aktore. Ndoshta tani do të kishte qenë një divë e kinemasë apo gruaja e ndonjë futbollisti të pasur, por paratë nuk e kishin tërhequr më aq shumë. Preferonte të djersitej, të hante pluhur, të studionte tekste të vjetër dhe të vizitonte vende të humbura. Aventurën që e kishte pasur gjithnjë në gjak dhe emocionin që i dilte kur merrte mbetjet e një punimi dore të lashtë, ri-nxjerrja në dritë e gjurmëve të mijëvjeçarëve më përpara, nuk mund të kishte të krahasuar me asgjë tjetër. Iu afrua pasqyrës shumë afër, dhe pa ato rrudhat e vogla dhe të mallkuara tek cepat e syve. Dora iu fut automatikisht në çantën e tualetit nga ku mori një nga kremrat “që të heqin dhjetë vjet brenda një jave”. E shtroi me kujdes në të gjithë fytyrën dhe u pa me kujdes. Çfarë pretendonte, një mrekulli? Fundja, efekti do të ishte i dukshëm vetëm pas “shtatë ditësh”. Buzëqeshi për veten dhe për të gjitha gratë që rregulloheshin lehtësisht me anë të reklamës. Ora e varur në mur sipër krevatit shënonte 19,40. Nuk do t’ia kishte dalë kurrë që të bëhej gati vetëm në njëzet minuta. U tha sa më shpejt që të mundej, duke i lënë paksa të lagura flokët e gjatë bjondë dhe qëndroi përpara komodinës prej druri të errët, ku mbante ato pak veshje elegante që kishte arritur t’i merrte me vete. Në momente të tjera, do të kishte kaluar orë të tëra vetëm që të vendoste mbi veshjen që i përshtatej rrethanës veçse, atë mbrëmje, përzgjedhja ishte vërtet e kufizuar. Zgjodhi, pa u menduar shumë, fustanin e shkurtër në ngjyrë të zezë. Ishte shumë e hijshme, padyshim seksi por aspak vulgare, me një dekolte të gjerë që me siguri do ta kishte ekzaltuar “masën e tretë” të mbushur të saj. E mori dhe, me një gjest elegant të dorës, e vuri mbi krevat. 19,50. Pavarësisht faktit që ishte femër, nuk i pëlqente të ishte me vonesë. Iu avit dritares dhe pa një Fuori Strada të errët, jashtëzakonisht të shkëlqyeshme, tamam përpara derës së hotelit. Personi që duhej të ishte shoferi, një djalë i ri i veshur me rroba ushtarake, po rrinte i mbështetur tek kofna dhe shtynte kohën e pritjes duke pirë një cigare në qetësi. Bëri çmos që t’i theksonte sytë me laps dhe rimel, kaloi me shpejtësi buzkuqin mbi buzët e saj, ndërkohë që përpiqej ta përhapte në mënyrë uniforme me një sërë puthjesh të lëshuara më kot, vuri vathët e preferuar, duke u lodhur jo pak që të gjente “vrimat”. Në fakt, kishte shumë kohë që nuk dilte mbrëmjeve. Puna e dërgonte gjithmonë nëpër botë dhe kurrë nuk kishte arritur që të gjente një përson për lidhje të qëndrueshme, që të zgjaste më shumë se disa muaj. Instikti i lindur mëmësor që çdo grua ka brenda vetes dhe që në vajzëri gjithmonë bënte si bënte dhe e injoronte me zgjuarsi, tani me afrimin e orës biologjike, ndihej gjithmonë e më shpesh. Ndoshta do të kishte qenë momenti që të mendonte seriozisht për t’u mbledhur në familje. E zmbrapsi atë mendim me shpejtësinë më të madhe të mundshme. Veshi fustanin, dhe të vetmet palë këpucë me takë dymbëdhjeçe që kishte sjellë me vete dhe, me gjeste të mëdha, spërkati të dy pjesët e qafës me parfumin e saj të preferuar. Shall mëndafshi, çantë e zezë e bollshme. Ishte gati. Një kontroll i fundit para pasqyrës së varur në mur, afër derës dhe të ndotur në disa pjesë të saj, i konfirmuan perfeksionin e fustanit që kishte. Bëri një rrotullim rreth vetes dhe doli jashtë e kënaqur. Shoferi një djalë i ri, pasi kishte drejtuar mjekrën që i kishte rënë poshtë, me të parë Elisën tek dilte nga hoteli duke ecur me hap modeleje, flaku tej cigaren e dytë që sapo kishte ndezur dhe nxitoi që t’i hapte derën e makinës. «Mirëmbrëma, profesoresha Hanter. A mund të shkojmë?» e pyeti ushtaraku me një notë ngurrimi. «Mirëmbrëma» iu përgjigj ajo duke vënë në provë buzëqeshjen e mrekullueshme. «Jam gati.» «Faleminderit për shoqërimin» shtoi ajo ndërkohë që hipte në makinë, duke ditur fare mirë se fundi do t’i ishte ngritur pakëz dhe do t’ia kishte ekspozuar pjesërisht këmbët para ushtarakut të sikletosur. I kishte pëlqyer gjithnjë të ndihej e admiruar. Anija kozmike Theos – Alarm në afërsi Sistemi O^COM identifikoi menjëherë para syve të Azakisit, një objekt të çuditshëm konturet e të cilit, duke pasur parasysh rezolucionin e ulët të përftuar nga dylbitë me rreze të gjatë, akoma nuk ishin të përcaktuara qartë. Me siguri që ishte në lëvizje dhe padyshim që po përparonte drejt tyre. Sistemi i alarmit në afërsi, përcaktonte një probabilitet të përplasjes midis Theosit dhe objektit të panjohur, më të lartë se 96% në rast se asnjëri prej tyre nuk do të ndryshonte itinerarin e lëvizjes. Azakis nxitoi që të futej tek moduli i transferimit që gjendej më afër. «Kabina e drejtimit» urdhëroi prerazi sistemin e kontrollit të automatizuar. Pas pesë sekondave, dera u hap duke fërshëllyer dhe në ekranin e madh qendror të sallës së komandës, ishte ravijëzuar, ende shumë turbullt, objekti që po përparonte në itinerarin e përplasjes me anijen. Pothuaj në të njëjtën kohë, u hap një derë tjetër afër nga e cila kërceu jashtë Petri pa frymë. «Çfarë dreqin po ndodh?» pyeti shokun «Nuk duhej të kishte meteorë në këtë zonë» u shpreh i çuditur duke vështruar edhe ai ekranin e madh. «Nuk besoj të jetë meteor.» «Por nëse nuk është meteor, atëherë çfarë është?» pyeti Petri me një shqetësim të dukshëm. «Në qoftë se nuk korrigjojmë menjëherë itinerarin, do mund ta shohësh vetë me sytë e tu, kur të gjendemi të shtypur drejt e në kabinën e drejtimit.» Petri u mor menjëherë me komandat e drejtimit dhe vendosi një ndryshim të lehtë të trajektores duke iu referuar asaj që ishte përcaktuar më përpara. «Përplasje pas 90 sekondash» komunikoi pa emocione, zëri i ngrohtë femëror i sistemit të alarmit në afërsi. «Largësia e objektit: 276.000 kilometra, duke u afruar.» «Petri bëj diçka dhe bëje shpejt!» bërtiti Azakisi. «Jam duke e bërë, por ai objekti po ecën me të vërtetë shumë shpejt.» Llogaritja e probabilitetit të përplasjes, që dukej te ekrani në të djathtë të objektit, po zvogëlohej ngadalë. 90%, 86%, 82%. «Nuk do t’ia dalim dot më» tha me një fije zëri Azakisi. «Miku im, duhet akoma të lindë një “objekt misterioz” që të mundet të arrijë të shkatërrojë anijen time» pohoi Petri me një buzëqeshje të vockël djallëzore. Me anë të një manovre që i bëri të dy të humbnin për një moment ekuilibrin, Petri ushtroi tek të dy motorët Bousen një ndryshim anasjelltas të menjëhershëm të polaritetit. Anija kozmike u drodh për shumë momente dhe vetëm sistemi i përmirësuar i gravitetit artificial, duke arritur të kompensojë oshilacionin në mënyrë të menjëhershme, nuk e la që i gjithë ekuipazhi të përfundonte i përplasur pas faqes që ndodhej përpara. «Lëvizje e bukur» briti i gëzuar Azakisi duke i rrahur shpatullat mikut. «Por tani, si mendon që ta ndalosh këtë rrotullim?» Objektet përreth kishin nisur tashmë që të ngriheshin dhe të vinin vërdallë nëpër dhomë me lëvizje marramendëse. «Vetëm një moment» tha Petri duke mos reshtur së shtypuri butonat dhe së luajturi me levat e komandës. «Mjafton vetëm që t’ia arrijë të ...» Një çurg i madh djersësh i binte lehtë lehtë nga balli. «të hapë ...» vazhdoi, ndërkohë që gjithçka që gjendej brenda dhomës fluturonte në mënyrë kaotike. Edhe vetë ata të dy filluan që të ngriheshin nga dyshemeja. Sistemi i forcës së rëndesës artificiale nuk ia dilte dot më që të kompensonte forcën e pafundme centrifugale që po gjenerohej. Ishin gjithmonë e më tepër të lehtë. «De... de... derën e pasme automatike numër tre!» bërtiti më në fund Petri, ndërkohë që gjithë objektet po binin sërish në dysheme. Një konteiner i rëndë që shërbente për mbeturinat, e goditi Azakisin tamam në vendin midis brinjës së tretë dhe të katërt, duke e detyruar që të nxirrte një rënkim të dobët. Petri, nga gjysëm metri lartësi ku rrinte pezull, ra furishëm në kuadrin e komandave, duke marrë një pozë shumë të panatyrshme dhe padyshim qesharake. Llogaritja e probabilitetit të përplasjes kishte zbritur në 18% dhe vazhdonte që të zvogëlohej me shpejtësi. «Gjithçka në rregull?» nxitoi të sigurohej Azakisi, duke u përpjekur që të fshihte sëmbimin në ijen e sapogoditur. «Po, po. Jam mirë, jam mirë.» u përgjigj Petri duke u përpjekur që të ngrihej sërish. Një çast më vonë, Azakisi po merrte kontakt me pjesën tjetër të ekuipazhit i cili i komunikonte menjëherë komandantit të tyre në lidhje me mungesën dhe dëmet në artikuj apo njerëz. Manovrimi i sapo përfunduar, kishte arritur ta devijonte paksa Theosin nga itinerari i mëparshëm dhe rënia e presionit e provokuar nga hapja e derës së pasme automatike ishte kompensuar menjëherë nga sistemi i automatizuar. 6%, 4%, 2%. «Largësia nga objekti: 60.000 Km» foli zëri. Po qëndronin të dy me frymën pezull, në pritje të mbërritjes në largësinë prej 50.000 Km, përtej së cilës do të aktivizoheshin sensorët me rreze të shkurtër. Ato çaste iu dukën si pa mbarim. «Largësia nga objekti: 50.000 Km. Sensorët më rreze të shkurtër u aktivizuan.» Forma e turbullt përpara tyre papritmas u qartësua. Objekti u shfaq qartë në ekran, duke e bërë të dukshme çdo detaj të veçantë. Dy shokët u kthyen njëkohësisht, me sytë e zgurdulluar, në kërkim të vështrimit të njëri tjetrit. «E pabesueshme!» bërtitën njëzëri. Nasiria – Restoranti Masgouf Koloneli Hadson ecte i nervozuar para mbrapa, përgjatë diagonales së hollit që gjendej para sallës kryesore të restorantit. Vështronte faktikisht çdo minutë orën taktike që e mbante gjithmonë në kyçin e dorës së majtë dhe që nuk e hiqte asnjëherë, madje as kur flinte. Ndihej i emocionuar si një djalosh në takimin e tij të parë. Për të shtyrë kohën tek priste, i ishte sjellë një Martini me akull dhe feta limoni nga baristi me mustaqe i cili, nga poshtë vetullave të trasha, e kundronte me kureshtje, ndërsa me përtesë thante një varg të tërë gotash me fron të lartë. Alkoli nuk lejohej aspak në vendet islamike por, gjatë asaj mbrëmjeje, ishte bërë një përjashtim. Restoranti i vogël ishte rezervuar tërësisht për ata të dy. Koloneli, pak pasi kishte mbaruar bisedën me profesoreshën Hanter, menjëherë kishte kontaktuar me përgjegjësin e lokalit, duke i kërkuar qëllimisht pjatën speciale Masgouf, sipas së cilës mbante emrin edhe restoranti. Duke parë vështirësinë në gjetjen e përbërësit kryesor, trofta e Tigrit, donte të sigurohej që lokali e kishte gjetur. Gjithashtu, duke e ditur më së miri se do të duheshin të paktën dy orë për ta përgatitur, dëshironte që gjithçka të gatuhej pa nxitim dhe me një perfeksion absolut. Përsa i përket mbrëmjes, duke parë që uniforma ushtarake do të kishte qenë me të vërtetë e papërshtatshme për ambientin, kishte vendosur që të shpluhuroste kostumin e tij të errët Valentino, duke e kombinuar me një kravatë mëndafshi të stilit Regimental më vija gri e të bardha. Këpucët e zeza, të llustruara ashtu siç dinte t’i bënte vetëm një ushtarak, ishin italiane edhe ato. Me të vërtetë, ora taktike nuk kishte të bënte fare por nuk do të mundej dot të rrinte pa të. «Mbërritën.» Zëri doli klithshëm nga receptori, njëlloj me telefonin celular, që mbante në xhepin e brendshëm të xhaketës. E fiku dhe vështroi jashtë në drejtim të xhamit të derës. Makina e madhe e errët shmangu një qese të zhubravitur e cila, shtytur lehtazi nga flladi i mbrëmjes, rrotullohej me ngathtësi në mes të rrugës. Me një manovrim të shpejtë parkoi tamam përpara hyrjes së restorantit. Shoferi priti sa pluhuri i ngritur nga mjeti të grumbullohej sërish në tokë, më pas zbriti nga makina me kujdes. Nga kufja gjysëm e fshehur në veshin e djathtë, i erdhi një seri e “all clear”. Vështroi me vëmendje të gjitha vendet e caktuara që më parë, derisa të sigurohej se kishte identifikuar të gjithë kolegët ushtarakë të cilët, në gjendje gatishmërie, do të angazhoheshin për sigurinë e dy darkuesve gjatë gjithë mbrëmjes. Zona ishte e sigurt. Hapi derën e pasme dhe, duke zgjatur me delikatesë dorën e djathtë, ndihmoi të ftuarën që të zbriste. Elisa duke e falenderuar ushtarakun për finesën, doli butësisht nga makina. Drejtoi vështrimin për lart dhe, ndërsa mbushej nga mushkëritë me ajrin e kthjellët të mbrëmjes, u rregullua për një çast për të parapritur spektaklin e mrekullueshëm që vetëm qielli plot yje mbi shkretëtirë dinte që ta luante në skenë. Koloneli ngeli për një moment i pavendosur nëse të dilte dhe të shkonte ta takonte apo të qëndronte brenda lokalit në pritje të hyrjes së saj. Në fund zgjodhi të rrinte ulur, me shpresën që ta maskonte më mirë emocionin. Kështu, me një pamje indiferente, iu afrua banakut, u ul mbi një karrige të lartë, mbështeti bërrylin e majtë mbi sipërfaqen me dru të errët, rrëkëlliu pak pijen alkolike të mbetur në gotë dhe u ndal të kundronte farën e limonit që depozitohej lehtë lehtë në fund. Dera u hap me një kërcitje të butë dhe shoferi ushtarak pa jashtë për të kontrolluar që gjithçka qe në rregull. Koloneli bëri një gjest të lehtë me kokë dhe shoqëruesi prezantoi Elisën nga brenda, duke i hapur rrugën me një gjest të madh të dorës. «Mirëmbrëma profesoreshë Hanter» tha koloneli duke u ngritur nga karrigia dhe duke nxjerrë në pah buzëqeshjen e tij më të bukur. «A patët një udhëtim të rehatshëm?» «Mirëmbrëma kolonel» u përgjigj Elisa me një buzëqeshje po aq rrëzëllitëse «Gjithçka në rregull, faleminderit. Shoferi juaj ishte shumë i sjellshëm.» «Mund të shkoni, faleminderit» tha me një zë autoritar koloneli, duke iu drejtuar shoqëruesit, i cili përshëndeti ushtarakisht, rrotulloi takat dhe u zhduk nëpër natë. «Një aperitiv, profesoreshë?» e pyeti koloneli, duke thirrur me një gjest të dorës baristin me mustaqe. «Atë që keni marrë ju» u përgjigj menjëherë Elisa, duke treguar gotën e Martinit që koloneli mbante ende në dorë. Më pas shtoi «Më thërrisni Elisa kolonel, preferoj kështu.» «Shkëlqyeshëm. Dhe ti më thirr Xhek. “Kolonel” ta lëmë për ushtarët e mi.» Është një fillim i mbarë, mendoi koloneli. Baristi përgatiti me kujdes Martinin e dytë dhe ia dha të porsaardhurës. Ajo afroi gotën e vet me atë të kolonelit dhe i trokitën të dyja me njëra tjetrën. «Gëzuar » tha me gjallëri dhe ktheu një gllënjkë të mirë. «Elisa, duhet të të them se sonte shkëlqen vërtet» i tha koloneli duke i derdhur të ftuarës së tij një vështrim nga koka tek këmbët. «Bah, edhe ti nuk je aspak keq. Edhe uniforma madje do të ishte tërheqëse por unë të preferoj kështu siç je» i tha duke buzëqeshur me djallëzi dhe duke lëvizur pak kokën anash. Xheku, pakëz në siklet, përqendoi vëmendjen brenda gotës që kishte në dorë. E kundroi për një çast, më pas e thau të gjithën me një frymë. «Si thua sikur ta zhvendosim tryezën tonë?» «Ide fantastike» thirri Elisa. «Kam një uri prej ujku.» «Kam arritur të përgatis specialitetin e shtëpisë. Shpresoj që ta pëlqesh.» «Jo, mos më thuaj se ke arritur që të gatuash Masgouf-in» tha e habitur, duke hapur paksa sytë e shkëlqyeshëm jeshilë. «Praktikisht është e pamundur që të gjesh troftën e Tigrit në këtë periudhë. » «Për një të ftuar si ty nuk mund të mos bëja ndryshe përveçse të kërkoja më të mirën» tha i kënaqur koloneli, duke parë që zgjedhja e tij dukej se ishte pëlqyer prej saj. I zgjati me delikatesë dorën e djathtë dhe e ftoi që ta ndiqte pas. Ajo, duke buzëqeshur djallëzisht, ia mbajti dorën shtrënguar dhe vazhdoi ta shoqëronte për tek tryeza. Lokali ishtë rregulluar me finesë në stilin tipik të vetë vendit. Dritë e ngrohtë dhe e mprehtë, perde të gjera mbushnin pothuaj të gjithë muret dhe arrinin deri në tavan. Një tapet i madh me motive vizatimi të Eslimi Toranjdar, vishte pothuaj të gjithë dyshemenë, kurse tapete të tjerë më të vegjël ishin sistemuar në këndet e dhomës, sikur të rrethonin gjithçka në kornizë. Natyrisht, tradita do të kishte dashur që ta konsumonin darkën të shtrirë në tokë mbi jastëkë të butë e të rehatshëm por, si një perëndimor i sjellshëm, koloneli kishte preferuar një tryezë “klasike”. Edhe ajo ishte e pajisur më së miri dhe ngjyrat e zgjedhura për mbulesën ishin në kombinim të përkryer me pjesën tjetër të lokalit. Një sfond muzikor në të cilin një Darbuka që shoqëronte nën ritmin Maqsum melodinë e një Oud , mbushte me delikatesë të gjithë atmosferën. Mbrëmje e përsosur. Një kamerier i gjatë dhe i hollë, iu afrua me politesë dhe, me një përkulje, i ftoi dy të ftuarit të uleshin. Koloneli akomodoi në fillim Elisën dhe u preokupua që t’i rregullonte karrigen, më pas u ul edhe ai përballë saj, dukë bërë kujdes që mos i shkiste kravata në pjatë. «Këtu është me të vërtetë shumë bukur» tha Elisa duke vështruar përreth. «Faleminderit» tha koloneli. «Duhet të të rrëfej që për pak pata frikë se nuk do të pëlqente. Më pas u mendova për pasionin që ke për këto vende dhe mendova se mund të ishte zgjedhja më e mirë. » «Qëllove në shenjë!» tha e ngazëllyer Elisa duke nxjerrë në pah sërish buzëqeshjen e saj të mrekullueshme. Kamarieri hapi një shishe shampanjë dhe, ndërsa mbushte kupat e të dyve, një tjetër erdhi me një shportë në dorë duke thënë «Sa për fillim, do të dëshironit që të shijonit një Most-o-bademjun ». Dy të ftuarit u vështruan të kënaqur, morën dy kupat dhe i trokitën sërish. Afro njëqind metra nga lokali, dy personazhe të pazakontë me një makinë të errët po merreshin me një sistem të sofistikuar përgjimi. «E pe kolonelin si përkëdhelet me atë tarallaken? » tha njëri prej tyre duke u kukurisur me një tjetër tepër të shëndoshë që rrinte në vendin e shoferit, ndërkohë që përtypte një sanduiç tepër të madh dhe barku e pantallonat po i mbusheshin plot me thërrime. «Ishte ide gjeniale futja e një transmetuesi në veshin e profesoreshës» iu përgjigj tjetri, shumë më i hollë, me sy të mëdhenj dhe të zinj, ndërkohë që rrufiste kafen nga një gotë e madhe kartoni ngjyrë gështenje. «Prej këtej mund të dëgjojmë në mënyrë të përsosur gjithçka që thonë.» «Shih se mos bën rrëmujëra dhe regjistroji të gjitha» e qortoi tjetri «përndryshe do të na bëjnë që të hamë vathët për mëngjes.» «Mos u bëj merak. E njoh shumë mirë këtë aparat. Nuk do të na shpëtojë as edhe një pëshpërimë.» «Duhet të arrijmë të marrim vesh se çfarë ka zbuluar realisht profesoresha» shtoi trashaluqi. «Shefi ynë ka shtënë një thes më para për të ndjekur në fshehtësi këto kërkime. » «Sigurisht nuk do të jetë e lehtë duke parë strukturën fantastike të sigurisë që ka vendosur koloneli.» Tipi i hollë ngriti vështrimin drejt qiellit me një pamje ëndërrimtare, pastaj shtoi «Nëse do të më kishin dhënë edhe vetëm një të mijtën e atyre parave, tashti do të qëndroja i shtrirë rrëzë një palme në Kubë, duke patur si shqetësim të vetëm atë të zgjedhjes së një Margarite ose të një Piña Kolada.» «Dhe ndoshta së bashku me ca vajza me bikini që të fërkojnë me krem mbrojtës ndaj diellit» tha trashaluqi, për të shpërthyer më pas në një të qeshur buçitëse, ndërkohë që si pasojë e barkut të kërcyer, i binin poshtë thërrimet të cilat ishin depozituar më përpara. «Kjo antipasta ishte shumë e shijshme.» Zëri i doktoreshës doli pakëz i transformuar nga altoparlanti i vogël i vendosur mbi kroskot. «Duhet të të rrëfej se me të vërtetë nuk besoja që, prapa asaj “pamjeje” prej ushtaraku të vrazhdë, mund të fshihej një burrë i rafinuar.» «Bahh, faleminderit Elisa. Edhe unë s’do ta kisha menduar kurrë që një “profesoreshë” kaq shumë e kualifikuar mund të ishte, përveçse e bukur, edhe mjaft e afrueshme dhe simpatike.» foli zëri i kolonelit, gjithmonë pakëz i transformuar, por me një tonacion paksa më të ulët. «Shih shih se si po flirtojnë» thirri trashaluqi nga vendi i shoferit. «Sipas meje, do të përfundojnë të dy në shtrat.» «Nuk jam edhe aq i sigurt» pohoi tjetri. «Profesoresha jonë është padyshim tepër dinake dhe nuk besoj se një darkë e vockël dhe ndonjë kompliment i vakët mund të mjaftojnë që ajo të shkojë e të bjerë drejt e në krahët e tij.» «Dhjetë dollarë bast që sonte do ta bëjë» tha trashaluqi duke i zgjatur dorën e djathtë kolegut. «Ok, dakord» foli tjetri duke i shtrënguar dorën që i ishte zgjatur përpara. Anija kozmike Theos – Objekti misterioz Objekti që u shfaq përpara dy bashkëudhëtarëve të çuditur tashmë, me siguri që nuk ishte ndonjë gjë që natyra, madje dhe në fantazinë e saj të pamasë, mund ta kishte krijuar vetë. Ngjante si një lloj lule metalike me tre petale të gjata, pa kërcell, me një pistil në mes në formë pak konike. Pjesa mbrapa pistilit ishte në formën e prizmit hekzagonal, me sipërfaqen e bazës pak më të madhe se ajo e konit të gjendur në pjesën përballë dhe që mbështeste të gjithë strukturën. Nga të treja brinjët e barazlarguara të hekzagonit dilnin petalet në formë katrore, me një gjatësi e pakta katër herë nga ajo e bazës. «Duket si një tip mulliri i vjetër me erë, si ata që përdoreshin shekuj përpara, në pllajat e mëdha në lindje» foli Petri, pa i hequr as edhe një minutë sytë nga objekti që ishte shfaqur në ekranin e madh. Një drithërimë e përshkoi Azakisin mu në shpinë, ndërsa në mend i vinin disa prototipe të vjetër që Të Moshuarit i kishin sugjeruar që të studionte para se të nisej. «Është një sondë hapësinore» pohoi me vendosmëri Azakisi. «I kam parë disa prej tyre, të prodhuara pak a shumë në këtë mënyrë, tek arkivat e vjetër të Retes» vazhdoi, ndërkohë që nxitonte të nxirrte me anë të N^COM, sa më shumë informacione që mundej lidhur me këtë çështje. «Një sondë hapësinore?» pyeti Petri, duke u kthyer drejt shokut me një pamje të hutuar. «Dhe kur do ta kemi lëshuar?» «Nuk besoj se është e jona.» «Nuk është e jona? Çfarë do të thuash miku im?» «Dua të them se as nuk është ndërtuar dhe as nuk është lëshuar prej nesh që jetojmë në planetin Nibiru.» Fytyra e Petrit shprehu gjithnjë e më shumë habi. «Çdo të thotë kjo? Mos më thuaj se edhe ti beson tek ato broçkullat mbi alienët, ëëëh?» «Nga ajo çfarë di, them se asgjë e këtij lloji nuk është ndërtuar ndonjëherë në planetin tonë. Kam kontrolluar në të gjithë arkivin e Retes dhe nuk ka asnjë lidhje me objektin që kemi përpara. As edhe tek projektet që nuk janë realizuar ndonjëherë.» «Nuk është e mundur!» thirri Petri. «Ai N^COM-i yt duhet të jetë i çakorduar. Kontrolloje më mirë.» «Më vjen keq Petri. Vërtet që e kam kontrolluar dy herë dhe jam absolutisht i sigurt së kjo nuk është vepër e jona.» Sistemi i të parit me rreze të shkurtër kujdeset që të gjenerojë një imazh tridimensional të objektit, duke e rikrijuar me një saktësi të madhe deri në detajet më të vogla. Hologrami lëkundej lehtazi në mes të sallës së komandës, duke qëndruar pezull afro gjysëm metri nga dyshemeja. Petri, me një lëvizje të dorës së djathtë, filloi ta rrotullonte ngadalë, duke hetuar me vëmendje çdo detaj të vogël. «Dukej se ishte e përbërë nga një aliazh metalik shumë i lehtë» tha Petri, me një ton padyshim shumë më teknik, lidhur me atë çudi që e kishte pushtuar që në fillim «Ushqyesit e motorëve duhet të jenë të pajisur me tre petale, që ngjanin se ishin të veshur nga një lloj materiali i ndjeshëm ndaj dritës së diellit.» Më në fund kishte filluar që të lëvizte komandat e sistemit. «Pistili duhet të jetë ndonjë lloj antene marrëse-transmetuese dhe në prismin hekzagonal me siguri që është “truri” i kësaj gjëje.» Petri luante hologramin gjithnjë e më shpejt, duke e përmbysur në të gjitha drejtimet. Papritur u ndal dhe thirri «Shiko këtu. Sipas teje, ç’është kjo?» pyeti, ndërkohë që kujdesej për të zmadhuar detajin. Azakisi u afrua sa më afër që të mundej. «Duken si simbole.» «Dy simbole do të thoja» korrigjoi Petri «ose më mirë, një vizatim dhe katër simbole shumë afër njëra tjetrës.» «Azakisi vazhdonte shpejt, me anë të N^COM, që të kërkonte diçka tek Rete, por nuk ia doli që të gjente absolutisht ndonjë gjë që të kishte sadopak lidhje me atë çfarë kishte përpara.» Vizatimi përfaqësonte një katror të përbërë nga pesëmbëdhjetë shirita gjatësorë të alternuar me ngjyrë të bardhë dhe të kuqe, dhe, në këndin lart nga e majta, një katror tjetër me ngjyrë blu të përbërë nga pesëdhjetë yje pesëcepësh në ngjyrë të bardhë. Në të djathtë të tij, katër simbolet: JUNO «Duket si një lloj shkrimi» guxoi të thoshte Azakisi. «Ndoshta simbolet përfaqësojnë emrin e atyre që kanë krijuar sondën.» «Ose ndoshta është emri i saj» iu kundërpërgjigj Petri. «Sonda quhet “JUNO” dhe simboli i ndërtuesve të saj është ai lloj katrori me ngjyrë. » «Sido që të jetë, e sigurt është që nuk jemi ne ata që e kanë ndërtuar» këmbënguli Azakisi. «Mendon se mund të ekzistojë brenda saj ndonjë formë jete? » «Mendoj se jo. Të paktën jo nga ato që ne njohim. Hapësira në kapsulën mbrapa, i vetmi vend ku mund të gjendet ndonjë gjë, është tepër e vogël për të pasur brenda një qenie të gjallë.» Ndërkohë që fliste, Petri kishte nisur tashmë të kryente një skanim të sondës, në kërkim të çfarëdo lloj shenje jete që mund të dilte nga brendësia e saj. Pas pak çastesh, një varg simbolesh u shfaqën në ekran të cilat nxitoi që t’ia deshifronte shokut të tij. «Sipas sensorëve tanë nuk ka asgjë “të gjallë” atje brenda. Nuk duket që të ketë as armë të ndonjë lloji apo tipi. Me një kqyrje të parë, e ndjej të them se, ky objekt, është një lloj avioni zbulues i lëshuar për të eksploruar në mes të sistemit diellor në kërkim të kushedi se çfarë gjëje.» «Edhe mundet» miratoi Azakisi «por pyetja që do duhet të supozojmë është: “Lëshuar nga kush?”» «Bahh» hamendësoi Petri «nëse përjashtojmë prezencën e “alienëve” misteriozë, do të thosha se të vetmit që mund të bëjnë diçka të tillë, mund të jenë vetëm “miqtë e tu të vjetër në tokë”.» «Çfarë po thua? Por që nga hera e fundit që i kemi lënë, ata nuk ishin në gjendje që të ecnin as me kalë. Si mund të kenë arritur një nivel njohurie të këtillë brenda kaq pak kohe? Dërgimi i një sonde që sillet vërdallë në hapësirë nuk është aspak një shaka.» «Pak kohë?» kundërshtoi Petri duke e parë drejt e në sy. «Mos harro se, për ata, kanë kaluar afro 3.600 vjet që atëherë. Duke patur parasysh se jetëgjatësia e tyre mesatare ishte maksimum pesëdhjetë-gjashtëdhjetë vjeç, do të thotë se kanë kaluar e pakta rreth gjashtëdhjetë breza. Ndoshta janë bërë akoma më inteligjentë se sa mund ta imagjinojmë.» «Dhe ndoshta ishte kjo arsyeja» shtoi Azakisi, duke u përpjekur që të finalizonte mendimin e shokut «që Të Moshuarit ishin aq të merakosur për këtë mision. Ata e kishin parashikuar ose të paktën, e kishin marrë parasysh këtë mundësi.» «Bahh, madje mund edhe të na e kishin përmendur shkarazi këtë gjë, apo jo? Sa s’më ra pika kur e pashë atë objektin.» «Jemi ende në planin e hipotezave» tha Azakisi ndërkohë që me gishtin e madh dhe tregues të dorës fërkonte mjekrën «por duket se arsyetimi ka kuptim. Do të përpiqem që të vihem në kontakt me Të Moshuarit dhe do të provoj që t’u shkëpus ndonjë informacion më shumë, nëse kanë. Ti, ndërkaq, përpiqu të kuptosh diçka më shumë rreth këtij mjeti. Analizo itinerarin aktual, shpejtësinë, masën, e të tjera dhe përpiqu të bësh një parashikim mbi vendmbërritjen e tij, që nga koha kur është nisur dhe të dhënat që ka depozituar. Si përfundim, dua të marr vesh sa më shumë gjëra që të jetë e mundur mbi atë që na pret aty poshtë.» «Në rregull, Zak» foli Petri ndërsa vërtiste pezull në ajër, përreth tij hologramet tërë ngjyrë me një pafundësi numrash dhe formulash. «Ah, mos harro të analizosh atë që e ke identifikuar si antenë. Nëse është ashtu vërtet, do të jetë në gjendje të transmetojë dhe të marrë. Nuk do të doja që takimi ynë të ishte transmetuar tashmë tek dërguesit e sondës.» Duke e thënë këtë, Azakisi u drejtua me shpejtësi nga kabina H^COM, e vetmja në gjithë anijen me pajisjet për komunikimin në largësi të madhe, e cila gjendej midis portës tetëmbëdhjetë dhe nëntëmbëdhjetë të moduleve të transferimit të brendshëm. Dera e pasme u hap me atë fishkëllimën e lehtë dhe Azakisi rrëshqiti brenda kabinës së ngushtë. Kush e di pse e kanë bërë kaq të ngushtë... pyeste veten ndërkohë që kërkonte të sistemohej në një sedilje, vërtet tepër të vogël, e cila kishte zbritur automatikisht nga sipër. Ndoshta kanë dashur që ta përdornim sa më pak që të jetë e mundur... . Ndërkohë që dera po mbyllej sërish pas shpinës, ai filloi që të formonte një seri komandash mbi panelin që kishte përpara. Duhej që të priste disa sekonda para se të stabilizohej sinjali. Papritmas, në pamjen holografike, shumë të ngjashme me atë që kishte në dhomën e vet, filloi të shfaqej fytyra e rreshkur dhe padyshim e vrarë nga vitet e të Moshuarit, eprorit të tij. «Azakis» tha ai duke buzëqeshur lehtë, ndërkohë që ngrinte ngadalë dorën kockore në shenjë përshëndetjeje. «Çfarë të shtyu që të thërrasësh, me kaq shumë ngut, këtë plak të shkretë? » Kurrë nuk kishte arritur që të merrte vesh me saktësi moshën e shefit të tij. Askujt nuk i ishte lejuar që të merrte vesh informacione shumë private lidhur me ndonjë element të Të Moshuarve. Me siguri, transformime të mëdha rreth diellit kishte parë shumë. Pavarësisht kësaj, sytë e tij lëviznin me shpejtësi në të djathtë dhe në të majtë, me një gjallëri të atillë saqë as ai vetë nuk do të dinte t’i bënte më mirë. «Kemi bërë një takim vërtet të papritur, të paktën për ne» ia nisi Azakisi pa shumë politesë, duke u përpjekur që ta vështronte interlokutorin drejt e në sy. «Gati ishim duke u përplasur me një objekt të pazakontë» vazhdoi, duke u munduar që të kapte çdo shprehje sado të vogël të Të Moshuarit. «Objekt? Shprehu më qartë biri im.» «Petri është ende duke e analizuar, por ne mendojmë se bëhet fjalë për një lloj sonde dhe jam i sigurt që nuk është e jona.» Sytë e Të Moshuarit u zgurdulluan. Dukej edhe ai i habitur. «Kemi gjetur simbole të çuditshëm të gdhendura mbi të që janë në një gjuhë të panjohur» shtoi. « Po t’i dërgoj të gjitha të dhënat.» Vështrimi i ngulët i Të Moshuarit u duk sikur humbi për një çast, ndërkohë që, me anë të O^COM-it të tij, shqyrtonte fluksin e informacioneve që i vinin. Pas disa çastesh tepër të gjatë, sytë e tij u kthyen për t’u fiksuar me ata të interlokutorit të tij dhe, me një ton që nuk la asnjë emocion t’i shfaqej, tha «Do të mbledh menjëherë Këshillin e Të Moshuarve. E gjithë kjo supozon që konkluzionet tuaja fillestare janë të sakta. Nëse gjërat duhet të jenë vërtet kështu, ne do të duhet që të rishikojmë shumë shpejt planet tona.» «Të presim të rejat» dhe duke thënë kështu, Azakisi mbylli bisedën. Nasiria – Darka Koloneli dhe Elisa po thanin tashmë kupën e tretë të shampanjës dhe ambienti padyshim ishte bërë akoma dhe më joformal. «Xhek, duhet të them se ky Masgoufi është fantastik. Do të jetë e pamundur që ta mbaroj, është jashtëzakonisht shumë. «Vërtet, është padyshim më i miri. Duhet që të komplimentojmë guzhinierin.» «Ndoshta do të duhej që të martohesha me të dhe ta vija të gatuante për mua» tha Elisa duke qeshur pak si shumë në mënyrë të ekzagjeruar. Alkoli tanimë po bënte efektin e vet. «E jo, e kush vihet në rresht. Unë e para.» Guxoi me batutën duke menduar se nuk do të qe fundja aq pa vend. Elisa bëri sikur nuk kishte ndodhur asgjë dhe vazhdoi që të përtypte peshkun. «Ti nuk je i martuar, apo jo? » «Jo, nuk kam pasur asnjëherë kohë.» «Është një justifikim i vjetër» tha ajo duke e parë me djallëzi. «Bahh, në të vërtetë i jam afruar më shumë se një herë por jeta ushtarake nuk është tamam e përshtatshme për martesën. Po ti?» shtoi, duke i rënë shkurt një teme që dukej se i sillte akoma siklet. «Ke qenë ndonjëherë e martuar?» «Tallesh? E kush do të duronte që të kishte një grua që kalon shumicën e kohës duke lëvizur nëpër botë për të gërmuar nën tokë si një urith dhe që zbavitet kur përdhos varre të lashtë prej mijëra vjetësh?» «Tamam» tha Xheku duke buzëqeshur hidhur «siç shihet nuk jemi të prerë për martesën.» Dhe ndërsa ngrinte gotën propozoi gjithë melankoli «Ta pijmë për të.» Kamerieri erdhi duke mbajtur pak Samoons të sapo pjekur, duke ndërprerë fatmirësisht, atë moment trishtimi të lehtë. Xheku duke përfituar nga ndërprerja, kërkoi që të zmbrapste shpejt një sërë kujtimesh që i kishin ardhur në mendje papritmas. Ishin gjëra që i takonin të shkuarës. Tani kishte afër vetes një grua shumë të bukur dhe duhej të përqendrohej vetëm tek ajo. Kjo gjë pastaj nuk ishte dhe aq e vështirë. Muzika nën sfond, që dukej sikur i mbështillte me delikatesë, ishte ajo e duhura. Elisa, e ndriçuar nga tre qirinj të vënë në mes të tryezës, ishte mahnitëse. Flokët e saj kishin refleksin e arit dhe bakrit dhe lëkura ishte e butë dhe ngjyrë të bronxtë. Sytë depërtues kishin një ngjyrë jeshile të thellë. Buzët e saj të buta po kërkonin ngadalë që të ndanin një copë troftë nga shtylla kurrizore që mbante nëpër gishta. Ishte aq sensuale. Natyrisht që Elisës nuk i kishte shpëtuar ai moment dobësie i kolonelit. Vuri kurrizin e peshkut në anë të pjatës dhe thithi, me shkujdesje të dukshme, në fillim gishtin tregues dhe pastaj gishtin e madh. Uli pakëz kokën dhe e vështroi aq furishëm saqë Xheku mendoi se zemra gati po i shpërthente nga kraharori dhe po përfundonte drejt e në pjatë. Duke e ndjerë se nuk e kishte më kontrollin e situatës dhe mbi të gjitha të vetë vetes, koloneli menjëherë u përpoq që të merrte veten. Ishte paksa i madh për të bërë figurën e një adoleshenti të dashuruar, por ajo vajzë kishte diçka që e tërhiqte tmerrësisht. Mori frymë thellë, fërkoi fytyrën me duar dhe guxoi duke thënë «Si thua sikur ta heqim qafe edhe këtë copëz të fundit?» Ajo buzëqeshi, mori butësisht në duar copëzën e mbetur nga trofta, u ngrit lehtazi nga karrigia duke u zgjatur drejt tij dhe ia afroi tek goja. Në atë pozicion, dekolteja e saj vuri pjesërisht në dukje gjoksin e bëshëm. Xheku, me sa duket i sikletosur, hëngri vetëm një kafshatë të vogël, por pa arritur që të shmangë prekjen lehtë me buzë të gishtave të saj. Eksitimi i tij rritej gjithnjë e më shumë. Elisa po luante me të siç bën macja me miun dhe Xheku nuk po arrinte që t’i rezistonte në ndonjëfarë mënyre. Më pas, me një pamje prej çupke të pafajshme, Elisa u kthye të ulej rehatshëm në vendin e saj dhe, sikur nuk kishte ndodhur gjë fare, ia bëri me dorë kamerierit të gjatë dhe të hollë, i cili iu afrua në çast. «Besoj se është momenti për një çaj të mirë me kardamom. Si thua, Xhek? » Ai që ende nuk e kishte marrë veten nga situata e mëparshme, belbëzoi diçka të tillë si «Bahh po, në rregull...» Dhe ndërkohë, që përpiqej të bënte përshtypje duke rregulluar xhaketën, shtoi «Besoj se bën shumë mirë për tretjen.» Ishte i vetëdijshëm që kishte thënë një gjë qesharake por në atë moment nuk i kishte ardhur në mend asgjë tjetër më e mirë. «Ȅshtë gjithçka shumë e këndshme Xhek, një mbrëmje me të vërtetë fantastike, por mos të harrojmë qëllimin për të cilin gjendemi këtu sonte. Duhet të të tregoja diçka, e mban mend?» Koloneli mendonte për gjithçka në atë moment, me përjashtim të punës. Sidoqoftë, kishte të drejtë. Aty luheshin gjëra shumë më të rëndësishme se një flirt idiot. Ishte fakt që atij, nuk i dukej aspak idiot ai lloj flirti. «Sigurisht» u përgjigj ai duke u munduar që të rimerrte një qëndrim prej autoritari. «Nuk më rrihet deri sa të marr vesh se çfarë ke zbuluar. » Trashaluqi, i cili po i dëgjonte të gjitha nga makina paksa në distancë, tha «Ça kuçke. Të gjitha gratë njësoj janë. Në fillim të bëjnë që t’u besosh, të çojnë në qiell, pastaj të japin duart sikur të mos ketë ndodhur gjë.» «Besoj se dhjetë dollarët e tu do të jenë shumë shpejt tek xhepat e mi» tha ai i holli, duke e pasuar deklaratën me një të gajasur të fortë. «Me thënë të vërtetën, nuk më bëhet vonë fare se kë çon në shtrat profesoresha jonë. Mos harro se jemi këtu vetëm për të zbuluar gjithçka që ajo di.» Dhe ndërkohë që mundohej të rregullohej pak më mirë në sedilje, duke parë që shpina po fillonte t’i dhimbte shumë, shtoi «Do të duhej që të kishim gjetur mënyrën për të instaluar edhe një telekamera të mirë në këtë dreq lokali.» «Po, edhe sikur thjesht poshtë tryezës, kështu që do të mundeshe t’i shikoje edhe kofshët.» «Idiot. Po kush ka qenë ai trap që të ka përzgjedhur për këtë mision?» «Shefi ynë, miku im. Dhe do të këshilloja që të evitosh ndonjë sharje ndaj tij, duke parë që edhe ai e di mjaft mirë si të instalojë mikropërgjuesa dhe nuk besoj se do të kishte vështirësi që të vendoste ndonjë të tillë edhe në këtë makinë.» Trashaluqi u hodh përpjetë dhe për një çast besoi se zemra i kish ndalur së rrahuri. Po kërkonte që të bënte karrierë dhe të shante shefin direkt, por që me siguri nuk ishte mënyra më e mirë për të ecur përpara. «Mjaft më me budallallëqe» tha, duke u përpjekur që të bëhej serioz dhe profesional. «Shiko të bësh mirë punën tënde dhe le të kthehemi në bazë me diçka konkrete.» Duke u shprehur kështu, nisi të fiksonte një pikë jo të përcaktuar mirë në errësirën e natës, përtej xhamit paksa të mjegullt. Elisa nxori nga çanta palmtop-in që e merrte gjithmonë me vete, e mbështeti mbi tryezë, dhe filloi që të shfletonte fotot. Koloneli, gjithë kureshtje, u përpoq që të zgjaste vështrimin për të parë ndonjë gjë, por këndi nuk ia lejoi. Ajo, pasi gjeti ato çfarë kërkonte, u ngrit dhe u ul mbi karrige në krah të tij. «Atëherë» ia nisi Elisa «rehatohu mirë pasi historia është e gjatë. Do të përpiqem që ta përmbledh sa më shumë që të mundem.» Duke shfletuar shpejt me anë të gishtit tregues në ekranin e palmtop-it, arriti të tregojë një foto të një pllakate gdhendur me vizatime të çuditshme dhe me shkrime në formë pyke. «Kjo është fotoja e një prej pllakatave që u gjendën në varrin e mbretit Baldovino II të Jeruzalemit» vazhdoi Elisa «i cili supozohet të ketë qenë i pari, në 1119, që hapi Shpellën e Makpelas, e quajtur edhe si Shpella e Patriarkëve, ku duket se janë varrosur Abrahami dhe të dy bijtë e tij Isaku dhe Jakobi. Këto varre do të gjendeshin në nëntokën e asaj që sot u quajt si Xhamia ose Vendi i Shenjtë i Abrahamit në Hebron të Cisjordanisë.» Në këtë pikë, i tregoi atij një foto të xhamisë. «Në brendësi të varreve» vazhdoi Elisa «mbreti do të gjente, përveç objekteve të panumërta të natyrave të ndryshme, edhe një sërë pllakatesh që i përkisnin Abrahamit. Gjithashtu mendohet se ato mund të përfaqësojnë një lloj ditari që kishte mbajtur ai dhe në të cilin kishte shënuar momentet më të rëndësishme të jetës.» «Një si lloj “momentesh historike të rrugëtimit”» provoi Xheku që t’i paraprinte, duke shpresuar që të bënte një figurë të mirë. «Po në njëfarë kuptimi, duke parë që rrugë kishte bërë vërtet shumë, brenda epokës. » Duke shfletuar një foto tjetër, Elisa vazhdoi të shpjegonte. «ekspertët më të mirë të gjuhës dhe të mënyrave të përfaqësimit grafik të epokës janë përpjekur që të deshifrojnë atë çfarë është gdhendur mbi këtë pllakatë. Mendimet kanë qenë, me sa duket, tepër kontradiktore në disa pjesë, por të gjithë kanë pranuar se kjo» dhe arriti që të zmadhojë një detaj nga fotoja «përkthehet në “vazo” ose edhe në “amfora e Zotave”. Në vazhdim janë fjalët “varrosje”, “sekret” dhe “mbrojtje” edhe ato mjaft të qarta.» Xheku fillonte të ndihej paksa i çoroditur por, duke bërë shenjë me kokë, u përpoq që të bindte Elisën se ai po e ndiqte në mënyrë të përkryer. Ajo e vështroi për një çast, pastaj vazhdoi duke thënë «Ndërsa ky simboli» dhe rregulloi ekranin për ta bërë sa më të qartë që mundej «sipas disave, duhet të përfaqësojë një varr, varrin e një prej Zotave. Ndërsa kjo pjesë duhet të përshkruante një nga Zotat që paralajmëron ose edhe kërcënon popullin e bashkuar rreth tij.» Koloneli, pak në sajë të alkolit, pak në sajë të aromës eksituese që Elisa lëshonte rreth vetes dhe për shkak edhe të syve të saj brenda të cilave kishte humbur krejtësisht, nuk po merrte vesh asgjë. Vazhdoi prapëseprapë të tundte kokën sikur gjithçka të kishte qenë tepër e qartë. «Si konkluzion, për t’i rënë shkurt» vazhdoi Elisa duke vënë re turbullimin në rritje të Xhekut «ekspertët kanë interpretuar përmbajtjen e kësaj pllakate, si simbolizimi i një ngjarjeje të verifikuar në kohën e Abrahamit në të cilën, një Zot i presupozuar ose Zotat në përgjithësi, do të kenë fshehur duke e groposur në afërsi të një varri të tyre, diçka shumë të çmuar, të paktën për vetë ata.» «Më duket paksa i përgjithshëm si përfundim» ia nisi Xheku, duke u përpjekur që t’i jepte ton. «Të thuash që diçka e çmuar është varrosur në afërsitë e një varri të Zotave, nuk është njëlloj sikur t’i kesh dhënë kordinatat GPS-it. Mund t’i referohet çfarëdolloj gjëje në çfarëdolloj vendi.» «Ke të drejtë, por të gjitha shkrimet, veçanërisht ato më të rëndësishmet shumë kohë më parë, duhet të interpretohen dhe kontekstualizohen në çfarëdo lloj mënyre. Kjo është arsyeja pse ekzistojnë ekspertët dhe, ja papritur, unë jam pikërisht një prej tyre.» Duke u shprehur kështu, filloi që të imitonte lëvizjet e një modeleje ndërkohë që fotografohej nga paparacët. «Po, po në rregull. E di që je e zonja. Por tani përpiqu që të bësh që edhe ne të gjorët, të kuptojmë diçka.» «Në thelb» mori fjalën prapë Elisa, ndërsa e përmblidhte sërish «pasi të kemi analizuar dhe krahasuar objektet historike të çdo lloji, histori të vërteta, legjendat, thashethemet dhe kështu e me radhë, “mëndjet” më të zgjuara të tokës kanë deklaruar se ky rindërtim me siguri që ka bazë vërtetësie. Mbi këto baza, ka marrë fill puna e arkeologëve nga e gjithë bota në kërkim të këtij vendi të mistershëm.» «Atëherë, me të gjitha këto, ç’hyn këtu ELSAD-i?» Kolonelit po fillonte që t’i funksiononte sërish truri. «Më kishin thënë se këto kërkime kishin si qëllim të rikuperonin punimet e dorës që ishin të pashpjegueshme dhe me origjinë nga alienët.» «Dhe ka gjasa të jetë vërtet kështu» u përgjigj Elisa. «Tashmë është një mendim i përhapur se këta “Zota” të famshëm, që në kohë të vjetra kishin ikur duke u sjellë vërdallë mbi Tokë, nuk do të kishin qenë tjetër përveçse humanoidë të ardhur nga një planet jashtë sistemit tonë diellor. Duke pasur parasysh teknologjinë e tyre të lartë dhe dijet e tyre të jashtëzakonshme në fushën mjekësore dhe shkencore, nuk qe pastaj aq e vështirë që të ngatërroheshin me perënditë të cilat ishin në gjendje të bënin kushedi se çfarë mrekullish.» «Tamam» e ndërpreu Xheku. «Edhe unë, nëse do mbërrija me një helikopter luftarak Apache në mes të një fisi të amazonës qendrore dhe do filloja të hidhja raketa ngado, mund të më ngatërronin me një perëndi të zemëruar.» «Ky është tamam efekti që duhet të kenë prodhuar ato qenie mbi njerëzit e kohës. Thuhet se, do të kenë qenë pikërisht alienët që rrënjosën farën e inteligjencës tek Homo Erectus, duke e shndërruar në këtë mënyrë, përgjatë disa dhjetëra mijëra viteve, në atë që sot e njohim si Homo sapiens sapiens.» Elisa vështroi me vëmendje kolonelin, i cili dukej se kishte një pamje gjithnjë e më të habitur dhe vendosi të bënte një lojë me krahëmarrje. «Me thënë të vërtetën, si përgjegjës i këtij misioni, besoja se ishe më i informuar.» «Edhe unë kështu mendoja» shfryu Xheku. «Siç duket, atje në parajsë ndjekin gjithmonë të njëjtën filozofi: sa më pak të dish aq më mirë është». Zemërimi po fillonte t’ia zinte vendin sentimentalizmit të mëparshëm. Duke u bërë e vetëdijshme për këtë, Elisa mbështeti palmtopin mbi tryezë dhe u afrua pak centimetra nga fytyra e kolonelit, që për një çast mbajti frymën duke menduar se donte ta puthte, dhe tha «Tani vjen më e bukura.» U kthye me një frymë te vendi i saj dhe i tregoi një fotografi tjetër. «Ndërkohë që të gjithë janë hedhur në kërkim të këtij të famshmit “varri i Zotave”, duke vajtur të rrëmojnë në mes të piramidave egjiptiane, varret e Zotave për shkallën më sipërore, unë kam formuluar një interpretim tjetër mbi atë që është gdhendur në pllakatë dhe vërtet besoj që është e sakta. Shiko këtu» dhe i tregoi e kënaqur një imazh përshkrues të tekstit ashtu siç e kishte interpretuar. Të dy bashkëpunëtorët përgjues të cilët, brenda makinës po dëgjonin bisedën ndërmjet dy darkuesve, do t’u kishin dhënë atyre krahun e djathtë vetëm që të mundnin të shihnin edhe ata foton që profesoresha po i tregonte kolonelit. «Dreq!» shau trashaluqi. «Duhet të gjejmë mënyrën për të futur duart në atë palmtop.» «Shpresojmë që të paktën njëri nga të dy, ta lexojë me zë të lartë» shtoi ai i holli. «Shpresojmë që edhe kjo “darkëz romantike” të mbarojë shpejt. U dërrmova duke ndenjur këtu jashtë në errësirë, dhe akoma më tepër, po vdes edhe për të ngrënë.» «Uri? Po ça thua? Ti që ke ngrënë madje edhe pjesën time të panines.» «Jo të gjithë, i dashur. Kishte tepruar një dhe tani do ta llufis» dhe ndërsa nënqeshte i kënaqur, u rrotullua për ta rimarrë nga çanta e mbështetur në sediljen e mbrapme. Por në kohën që po kthehej, përfundoi duke goditur gjurin, tamam mbi butonin e ndezjes së sistemit të regjistrimit i cili lëshoi një biip të lehtë dhe u fik. «A do të bësh kujdes, o budalla i dreqit?» I holli, nxitoi duke u përpjekur që të rindizte pajisjen. «Tani më duhet ta ndez përsëri sistemin dhe do të më duhet të paktën një minutë. Lutu që të mos jenë duke thënë ndonjë gjë me rëndësi, përndryshe këtë herë do të kap me shkelma bythësh, që këtu e deri në Gjirin Persik!» «Të kërkoj ndjesë» tha trashaluqi me një fije zëri. «Besoj se tani është ora që të vihem në dietë.» “Zotat groposën vazon me përmbajtjen e çmuar në jug të tempullit dhe urdhëruan popullin që të mos afrohet deri në rikthimin e tyre, përndryshe katastrofa të tmerrshme do të derdheshin mbi të gjithë njerëzit. Në mbrojtje të vendit, katër rojtarë flakërues. ” «Ky është deshifrimi im» deklaroi Elisa me krenari. «Fjala e saktë për mua, nuk është “varri” por “tempulli” dhe Ziqqurati i Ur-it, ku unë po zhvilloj kërkimet e mia, nuk është gjë tjetër veçse një tempull i ngritur për Zotat. Natyrisht, do të më thuash se nga këto anë ka shumë Ziqquratë, asnjë nuk është aq afër me shtëpinë që i përkiste atij që, supozohet hipotetikisht, se ka shkruar pllakatat: i dashuri ynë Abraham.» «Shumë interesante.» Koloneli po analizonte me vëmendje tekstin. «Në të vërtetë, ajo që tregohet nga të gjithë si “Shtëpia e Abrahamit” është vetëm disa qindra metra nga tempulli.» «Për më tepër, nëse ata do të kishin qenë vërtet alienë,» vazhdoi Elisa «imagjino se sa interesante mund të jetë “vazoja” për ju ushtarakët. Ndoshta edhe shumë më shumë se “përmbajtja e çmueshme”.» Xheku u mendua për një çast, dhe pastaj tha: «Ja arsyeja e gjithë këtij interesimi nga vetë ELSAD-i. Vazoja e groposur mund të jetë shumë më tepër se thjesht një enë dheu.» «Të lumtë. Dhe tani, pak teatër» u shpreh në mënyrë teatrale Elisa. «Zonja dhe zotërinj, për ju ja se çfarë kam zbuluar sot në mëngjes.» Preku ekranin dhe një foto e re u shfaq në palmtop. «Por qenka i njëjti simbol që gjendej tek pllakata» thirri Xheku. «E saktë. Por këtë foto e kam bërë sot» u përgjigj Elisa e kënaqur. «Me sa duket Abrahami, për të treguar “Zotat”, ka përdorur të njëjtën paraqitje që kishin përdorur më përpara Sumerët: një yll me dymbëdhjetë planetë rreth saj dhe që, fare papritur, e ka gjetur të gdhendur mbi kapakun e “enës” që po sjellim në dritë.» «Mund edhe të mos ketë ndonjë domethënie» komentoi Xheku. «Ndoshta është vetëm një rast. Simboli mund të ketë edhe mijëra kuptime të tjera.» «Ah po? Dhe atëherë, sipas teje, ç’është kjo?» dhe i tregoi foton e fundit. «E kemi realizuar nga jashtë enës me anë të aparaturës sonë me rreze X lëvizëse.» Xheku nuk mundi të bënte gjë veçse të shqyente sytë si i shastisur. Anija kozmike Theos – Analiza e të dhënave Petri ishte akoma i zhytur në analizën e sondës ndërkohë që Azakisi, i kthyer te paneli, foli duke iu drejtuar shokut «Do të na e bëjnë të ditur.» «Që do të thotë se duhet t’ia dalim mbanë vetë» komentoi hidhur Petri. «Pak a shumë si gjithmonë, apo jo?» iu përgjigj Azakisi, duke i dhënë një rrahur të mirë shpatullave bashkëudhëtarit të tij. «Çfarë mund të më thuash për atë grumbull hekurash?» «Përveç faktit që për pak sa nuk nuk arriti të na gërvishtë sipërfaqen e jashtme të anijes, mund të të konfirmoj me siguri thuajse absolute, se nuk është transmetuar asnjë mesazh nga miku ynë me tre helika. Duket se sonda ka qenë e projektuar vetëm me qëllimin për të analizuar dhe studiuar trupa qiellorë. Një lloj udhëtuesi i vetmuar në hapësirën kozmike, që regjistron të dhëna dhe që ia ritransmeton periodikisht qendrës» dhe vuri në dukje elementin e antenës tek hologrami që valëvitej nëpër dhomë. «Ka gjasa që i kemi kaluar afër me shumë shpejtësi pasi mund të ketë regjistruar praninë tonë» guxoi të supozonte Azakisi. «Jo vetëm, miku im. Instrumentet e tua në bord janë të programuar për të analizuar objekte në largësi qindra deri mijëra kilometra dhe ne i kemi kaluar aq afër saqë, po të mos ishim në kozmos, zhvendosja e ajrit do të vazhdonte ende ta rrotullonte si një helikë.» «Dhe tani që i jemi larguar, mendon se mund ta zbulojë praninë tonë? » «Mendoj vërtet që jo. Jemi padyshim shumë të vegjël dhe të shpejtë për të qenë në fokus të “interesave” të tyre.» «Në rregull» foli Azakisi. «Më në fund ky më duket një lajm i mirë.» «Kam provuar të bëj një analizë të metodës së transmetimit të të dhënave të përvetësuara nga sonda» vazhdoi Petri. «Duket që nuk është pajisur ende me teknologjinë e “vorbullave të dritës” si kjo e jona, por shfrytëzon akoma një sistem të vjetër me anë të modulacionit të frekuencës.» «A s’ishte ajo që përdornin paraardhësit tanë përpara Revolucionit të Madh ?» pyeti Azakisi. «Saktë. Nuk ishte shumë efiçente, por mundësoi që të shkëmbeheshin informacione në të gjithë planetin për shumë kohë dhe padyshim ka kontribuar për të arritur aty ku gjendemi tani.» Azakisi u ul mbi karrigen e komandimit, nduku për një çast gishtin tregues, pastaj tha «Nëse ky është sistemi i komunikacionit që përdoret aktualisht në Tokë, ndoshta do të mundemi që të kapim ndonjë transmetim të tyre.» «Po, ndoshta edhe ndonjë film të bukur porno» komentoi Petri, duke nxjerrë paksa gjuhën në anën e majtë të gojës. «Mjaft me këto budallallëqe. Përse nuk përpiqesh më mirë që të ripërshtatësh sistemin tonë të komunikacionit sekondar me këtë teknologji? Do doja të isha sa më i përgatitur që të jetë e mundur kur të mbërrija atje.» «Kuptova. Më presin orë të tëra pune në këtë kabinë tepër të ngushtë. » «Si thua sikur të hamë diçka më përpara?» ia nisi Azakisi, duke parandjerë kërkesën e shokut, të cilën e përfytyronte se do të dilte pas pak çastesh. «Kjo është gjëja e parë më e arsyeshme që po dëgjoj të thuash sot» u përgjigj Petri. «I gjithë ky trazim më ka futur oreksin.» «Në rregull, bëjmë një pushim por vendos unë se çfarë të marrim. Mëlçitë e Nebirit që zgjodhe dje, kanë mbetur aq shumë në stomakun tim të mjerë saqë me dukej sikur kishin zënë rrënjë.» Nja dhjetë minuta më pas, ndërsa të dy shokët e udhëtimit gjendeshin akoma të përqendruar tek vakti i tyre, mbi Tokë, në Qendrën e Kontrollit të Misioneve të NASA-s, një inxhinier në moshë të re po vërente një ndryshim të çuditshëm të itinerarit të sondës që po monitoronte. «Shef» foli te mikrofoni që e kishte një centimentër nga goja dhe që ishte i lidhur te kufja. «Ndoshta kemi një problem.» «Çfarë problemi?» nxitoi të përgjigjej inxhinieri përgjegjës i misionit. «Më duket se Juno, për ndonjë shkak ende të panjohur, ka pësuar menjëherë një ndryshim të lehtë të itinerarit të saj të paracaktuar. » «Ndryshuar? Dhe që kur? Por çfarë e ka shtytur?» Djersë të ftohta po i binin tashmë. Kostoja e atij misioni ishte jashtë mase e lartë dhe asgjë nuk duhej që të shkonte keq. «Jam duke analizuar të dhënat pikërisht në këtë moment. Telemetria tregon për një zhvendosje me 0,01 gradë pa asnjë shkak të qartë. Gjithçka duket se po funksionon në rregull.» «Mund të jetë goditur nga ndonjë copë shkëmbi e thyer» mori guximin inxhinieri i moshuar. «Fundja zona e asteroideve nuk është aq larg.» «Juno ndodhet praktikisht në orbitën e Jupiterit dhe atje nuk duhet të kishte asteroide » ngulmoi me shumë takt, i riu. «Atëherë çfarë ka ndodhur? Duhet të ketë domosdoshmërisht ndonjë lloj keqfunksionimi.» U mendua për një sekondë dhe më pas urdhëroi «Dua një kontroll të dyfishtë mbi të gjitha pajisjet e sondës. Rezultatet brenda pesë minutave te kompjuteri im» dhe mbylli komunikuesin. Inxhineri i ri e kuptoi menjëherë përgegjësinë që i ishte ngarkuar. Pa duart: i dridheshin lehtë. Vendosi të mos merrej me to. Ngarkoi një kolegun e tij për të përfunduar një check-up të diferencuar të sondës dhe kryqëzoi gishtat. Kompjuterat filluan që të zbatonin njëri pas tjetrit të gjitha kontrollet e programuara dhe pas disa minutash, mbi ekranin e tij, u shfaqën rezultatet e analizës: Check-up i përfunduar. Të gjitha pajisjet janë operative.. «Duket gjithçka në rregull» komentoi kolegu. «E atëherë çfarë dreqin ka ndodhur? Nëse nuk e zbulojmë brenda këtyre dy minutave, shefi do të na qërojë të dyve» dhe filloi të shtypte ethshëm komandat e trastierës që kishte përpara. Asgjë prej gjëje. Funksionon gjithçka për mrekulli. Duhej absolutisht të shpikte diçka dhe duhej ta bënte sa më shpejt. Nisi t’i binte me gishta ekranit. Vazhdoi për nja dhjetë sekonda, më pas vendosi të kujtonte rregullin e parë të pashkruar të manualit të etikës në vendin e punës: kurrë mos e kundërshto shefin. Hapi mikrofonin dhe foli me furi «Shef, ju kishit të drejtë. Ka qenë tamam një asteroid i vogël trojan që devijoi sondën. Por fatmirësisht, nuk e ka goditur drejtpërsëdrejti, por vetëm i ka kaluar afër. Siç duket, shkëmbi i asteroidit ka krijuar një tërheqje gravitazionale minimale mbi Junon tonë, duke shkaktuar kësisoj devijimin e lehtë nga itinerari. Po jua dërgoj të dhënat» dhe mbajti frymën. Pas disa çastesh që dukeshin se s’kishin fund, në kufje u dëgjua zëri krenar i shefit «Isha i sigurt. Biri im, instikti prej ujku të vjetër nuk mposhtet.» Më pas shtoi «Bëni përgatitjet për të aktivizuar motorët e sondës dhe për të korrigjuar itinerarin. Nuk do të toleroj gabime» dhe mbylli bisedën. Një sekondë më pas e rifilloi duke thënë «Punë e shkëlqyer djema.» Inxhinieri i ri në moshë e ndjeu se gjaku po niste t’i lëvrinte nëpër trup. Zemra po i rrihte aq fort saqë arrinte ta dëgjonte tek pulsonte tek veshët. Fundja, fiks kështu mund të kishte shkuar. Hodhi vështrimin ngultas në drejtim të kolegut, dhe duke ngritur gishtin e madh, i bëri një shenjë aprovimi. Tjetri iu përgjigj duke i shkelur njërin sy. Ia kishin dalë mbanë, të paktën për momentin. Nasiria – Pas darke Sistemi i regjistrimit lëshoi dy herë biip dhe u riaktivizua. Zëri i profesoreshës doli i riprodhuar nga altoparlanti i vogël brenda makinës. «Besoj se është ora për t’u larguar, Xhek. Nesër në mëngjes, do më duhet që të ngrihem herët për të vazhduar me gërmimet.» «Në rregull» iu përgjigj koloneli. «Po shkoj të falenderoj guzhinierin dhe pastaj ikim.» «Pash zotin» thirri i holli. «Për fajin tënd kemi humbur pjesën më të mirë. » «Ec pra, nuk e bëra aspak me qëllim» u justifikua i shëndoshi. «Do mund të themi gjithnjë se pati një mosfunksionim të sistemit dhe se një pjesë të bisedës nuk arritëm ta regjistronim.» «Më bie gjithmonë mua që të të mbroj prapanicën» pohoi tjetri. «Do të ta dëmshpërblej. Kam tani një plan për të futur duart tek palmtopi i profesoreshës sonë.» Vuri hundën midis gishtit të madh dhe atij tregues, dhe më pas tha «Do të hyj sonte natën në dhomën e saj dhe do të kopjojmë gjithë të dhënat pa na vënë re.» «Dhe çfarë do bëjmë për të mos ta zgjuar, do t’i këndojmë një ninullë?» «Mos u merakos miku im. Kam një as në dorë» dhe i shkeli syrin. Ndërkohë, brenda restorantit, Xheku dhe Elisa po përgatiteshin që të dilnin. Koloneli ndezi komunikuesin portabël dhe kontaktoi me rojen e sigurisë duke i thënë «Jemi duke dalë.» «Këtu jashtë, gjithçka është e qetë, kolonel» u përgjigj një zë te kufja. Për të bërë kujdes, koloneli hapi derën tej e tej dhe kqyri përjashta me vëmendje. Jashtë afër makinës, më këmbë qëndronte ende ushtaraku që kishte shoqëruar Elisën. «Mund të largohesh djalosh» urdhëroi koloneli. «Profesoreshën po e shoqëroj unë.» Ushtari u vu në para marsh, përshëndeti ushatarakisht dhe, duke folur diçka tek komunikuesi, u zhduk nëpër natë. «Ishte një mbrëmje e mrekullueshme, Xhek» tha Elisa duke dalë. Mori frymë thellë në ajrin e freskët të natës dhe shtoi «Me të vërtetë që kishte shumë kohë që nuk kaloja një mbrëmje të tillë. Faleminderit vërtet» dhe nxori në dukje një prej atyre buzëqeshjeve të mrekullueshme të saja. «Hajde, nuk ka ende shumë siguri që të qëndrosh këtu jashtë» dhe duke u shprehur kështu, i hapi derën dhe e ndihmoi që të hipte. Makina e madhe në ngjyrë të errët, me kolonelin që e ngiste, u nis me shpejtësi, duke lënë pas saj një re të madhe pluhuri. «Edhe unë u ndjeva shumë mirë. Nuk e kisha menduar kurrë se një mbrëmje me një “profesoreshë plot shkencë” mund të ishte kaq zbavitëse.» «Plot shkencë? Kështu më quan?» dhe u rrotullua nga ana tjetër duke u shtirë si e fyer. «Plot shkencë po e po, por edhe shumë simpatike, inteligjente, dhe padyshim seksi.» Duke parë se ajo po vështronte përjashta, përfitoi për t’i përkëdhelur butësisht flokët mbrapa zverkut. Prekja i provokoi një varg drithërimash kënaqësie në gjithë shpinën. Nuk mund të thyhej kaq shpejt. Por, eksitimi i saj shtohej gjithnjë e më tepër. Vendosi të mos thoshte gjë dhe shijoi atë masazh të vogël, të këndshëm. Xheku, i nxitur nga mungesa e reagimeve karshi gjestit të tij, vazhdoi për pak që t’i përkëdhekte flokët e gjatë. Papritmas, filloi që t’i rrëshqiste dorën, fillimisht mbi supin e saj, pastaj në krah dhe në fund gjithnjë e më poshtë, deri sa t’i çikte butësisht gishtat. Ajo, gjithnjë duke ndenjur e përqendruar nga dritarja, i kapi dorën dhe ia shtrëngoi me vendosmëri. Ishte një dorë e madhe dhe e fortë. Ai kontakt i jepte tepër siguri. Jo shumë larg, një makinë tjetër po i vëzhgonte ata të dy, duke u përpjekur të shkëpuste ndonjë dialog tjetër interesant. «Ato dhjetë dollarët besoj se janë duke ndryshuar destinacion, plako» tha trashaluqi. «Tani po e çon në hotel, ajo do ta lërë që të ngjitet për të pirë diçka, dhe ja ku mbaroi.» «Lutem që mos të përfundojë kështu, pasi dua vërtet që të shoh sesi mund t’i kopjojmë të dhënat e palmtopit. » «Ça tersi, nuk e kisha menduar fare.» «Ti nuk mendon kurrë për gjë tjetër përveçse mundësisë për t’i çuar gjërat drejt e në stomakun tënd pa fund.» «Ec tani, mos u largo shumë » tha ai i shëndoshi, duke e injoruar provokimin. «Nuk do doja ta humbja sinjalin edhe një herë tjetër.» Mbetën për pak çaste dorë më dorë, pa thënë asgjë. Të dy me vështrimin e ngulur përtej xhamit të parë të makinës. Po i afroheshin gjithnjë e më shumë hotelit dhe Xheku ndihej aq i sikletosur. Natyrisht që nuk ishte hera e parë që dilte me një vajzë por, atë mbrëmje ndjeu t’i rishfaqej gjithë ndrojtja që e kishte torturuar që në rini dhe që mendonte se tashmë qe kapërcyer. Ai kontakt aq i gjatë thuajse e kishte paralizuar. Ndoshta do të duhej të thoshte diçka për të thyer atë heshtje të sikletshme por, duke u druajtur nga çfarëdolloj fjale që mund të shkatërronte atë moment magjik, vendosi ta shtynte për më vonë. Falenderoi faktin që makina kishte kamje automatike, pasi në rast të kundërt do të kishte qenë i detyruar t’ia lëshonte dorën asaj vetëm për të ndërruar marshin, dhe më pas vazhdoi të ngiste makinën nëpër natë. Ndërsa Elisës, po i vinin në mend, një nga një, të gjithë “burrat e presupozuar në jetën e saj”. Disa histori, shumë ëndrra, projekte, gëzime dhe lumturi por, në fund, gjithmonë shumë zhgënjim, dështim dhe dhimbje. Dukej sikur fati kishte vendosur tashmë gjithçka për të. I ishte shënuar një rrugë sigurisht plot me kënaqësi dhe vlerësime në nivel profesional, por në të cilën dukej se nuk ishte parashikuar të kishte ndonjë burrë për ta shoqëruar në krah. Tanimë ishte aty, në një vend të huaj, ndërkohë që udhëtonte nëpër natë, dorë më dorë, me një burrë të cilin deri dje e konsideronte si një pengesë për planet e saj, por që në fakt po i ngjallte shumë ndjenjë dhe afeksion. Më shumë se një herë pyeti veten se çfarë duhej të bënte. «Gjithçka në rregull?» pyeti Xheku i merakosur, duke parë sytë e saj që po bëheshin gjithnjë e më të shndritshëm. Конец ознакомительного фрагмента. Текст предоставлен ООО «ЛитРес». Прочитайте эту книгу целиком, купив полную легальную версию (https://www.litres.ru/pages/biblio_book/?art=40850589&lfrom=334617187) на ЛитРес. Безопасно оплатить книгу можно банковской картой Visa, MasterCard, Maestro, со счета мобильного телефона, с платежного терминала, в салоне МТС или Связной, через PayPal, WebMoney, Яндекс.Деньги, QIWI Кошелек, бонусными картами или другим удобным Вам способом.
КУПИТЬ И СКАЧАТЬ ЗА: 246.35 руб.